Arben Taravari flet për koalicionimet dhe takimin me Lëvizjen BESA

0

Sekretari i përgjithshëm i ASH-së, Arben Taravari në mënyrë indirekte ka sqaruar zërat për bisedimet për koalicionim me partitë shqiptare, sidomos me Lëvizjen BESA. Ai përmes një postimi në facebook i është përgjigjur në mënyrë indirekte sekretarit gjeneral të Lëvizjes BESA lidhur me dekaratën e tij të sotme ku kishte deklaruar se “si parti ende nuk kemi marrë asnjë ofertë për ndonjë koalicion parazgjedhor. Kemi qenë të fokusuar në organizmin e 5 vjetorit të partisë, mandej ndodhën edhe ngjarjet tragjike në Shqipëri…”. Ja deklarimi i Taravarit përmes profilit të tij në facebook:
“Tërmeti që godit Shqipërinë ka qënë tronditës për të gjithë ne, traumat e të cilit janë ende të pashpërthyera madje. Jetojmë tashmë me një barrë të rëndë shpirtërore duke parë çdo ditë Durrësin e shkatërruar, Thumanën në zi apo Tiranën e tronditur…ditë të vështira për Shqipërinë dhe për shqiptarët kudo që janë! Por për të mbajtur përgjegjësinë e duhur para elektoratit tonë i cili përfshin numrin më të madh të votuesëve në popull, ndjej për detyrë të qartësojë se ASH-ja do të jetë e lumtur të bashkëpunojë me cilëndo parti që e do popullin, që është e dedikuar ndershëm ndaj tij. Ky është mision i domosdoshëm për të shpëtuar vendin tonë, seriozitetin e të cilit e kemi dëshmuar duke biseduar me parti opozitare si konkretisht partia Besa, me të cilën disktuam në 28 nëntor, në Tetovë në prani të z.Ziadin Sela, z.Bilal Kasami, z.Arianit Hoxha dhe meje. Ishte një takim konstruktiv i cili premton për një bashkëpunim të shëndetshëm, gjithnjë në shërbim të popullit! ASH-ja, Besa dhe çdo parti tjetër që punon për ndryshimin e amullisë aktuale, që pranon të ndryshojë realitetin e deritanishëm ku Qeveria është Mbreti dhe Populli shërbëtori, çdo parti që ashtu si ASH-ja shpall Popullin Mbret e veten shërbëtor të tij, është e mireseardhur në fuqinë më të madhe partiake që duhet dhe do të ndryshojë gjendjen e trishtë ku ka përfunduar vendi”, ka shkruar Arben Taravari.(INA)