Arian Çani e tregon pse Edi Rama nuk heq dorë nga shembja e teatrit

0

Debati për Teatrin tashmë prej ditësh është bërë kryetemë në media, rrjete sociale apo edhe në statuset e fytyra të njohura mediative, akademike dhe poltike.

Këtë herë ka qenë gazetari Arian Çani i cili ka vendosur të reagojë lidhur me ketë cështje të rëndësishmë.

Nga Arian Çani

Gjatë gjithë këtyre javëve, kam lexuar me vëmendje analiza, shkrime, reagime, përsiatje, komente, qëndrime dhe editoriale rreth shembjes me ligj të Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit aty të një monstre gjasme moderne dhe shumë kullave brenda dhe rreth e rrotull hapësirës private e publike ku ndodhet godina e bukur e Teatrit.

Jam pothuajse totalisht dakort me Aurel Plasarin, Preç Zogajn, Artan Fugen, Mark Makun, Agron Gjekmarkajn, Andi Bushatin, Armand Shkullakun, Andi Bejten e shumë e shumë pena profesioniste në këtë vend, pena që i respektoj dhe i lexoj me shumë kënaqësi edhe kur s’jam dakort me ta ndonjëherë.arian-cani-1-1

Por në rastin e TK, argumentet dhe sjellja e tyre në sytë e publikut, ishin aty, të qarta, të sakta, të plota, të thjeshta. Nuk i hiqje dot asnjë presje. Pothuajse të gjithë dhe secili në mënyrën e vet, hidhnin drite rreth thelbit të kësaj drame që po përjeton ajo godine fisnike.

Aferë e pastër trafiku influence, përfitimi, antikushtetuese etj etj… Por një detaj nuk ma zuri syri në gjithë këto shkrime këto kohe. Pikërisht arsyen e vërtetë perse Rama kërkon ta fshijë atë godinë plot histori nga aty dhe të ndërtojë një të re dhe moderne pa histori.

Nuk pretendoj se e kam gjetur arsyen e vërtetë, por në mend më erdhën disa udhëheqës, pse jo dhe në vende me demokraci të zhvilluar të cilët çfarë nuk kanë bërë për të hyrë në histori.

Mjafton të kujtojmë debatet dhe sherret pa fund 100 e ca vite me parë kur elita e Parisit u nda më dysh e më tresh deri sa një krijesë e tmerrshme metalike me bullona gjigande, u ngrit në mes të Parisit.

Ju do me thoni: dakort, por Eiffel-i nuk prishi asgjë në vendin ku u ndërtua kulla. Dakort. Por debati ishte a duhej lejuar në një qytet si Parisi të ngrihej një hekurishte aq gjigande?

Debati vazhdon ende dhe nuk është e thënë që parizienët të jenë të gjithë të dashuruar me këtë monster kaq të bukur. Shumë më vonë, ish presidenti François Mitterand u përplas me shumë njerëz të iluminuar të cilët nuk donin që në oborrin e Louvre-it, të ngrihej një piramide xhami. Mora dy shembuj të vegjël pasi ato janë pa fund në historinë e gjithë qytetërimeve në këtë planet.

Dua të them se më shumë se paraja dhe interesi i ditës, perandorët e vjetër dhe moderne, diktatorë apo të ndritur, kanë synuar gjithmonë të lënë gjurmën dhe emrin e tyre nëpërmjet veprave me gurë, hekur, beton, xham apo ku di unë se çfarë.

Perse mos e tentoje dhe Edi Rama në këtë katund?

Vetëm një gjë i detyron pushtetet të tërhiqen: Qytetaret që mblidhen dhe rezistojnë me qetësi në një masë kritike mu aty, në shesh. Te sheshi i Teatrit Kombëtar.

Deri tani, nuk duket se ata janë mbledhur mjaftueshëm që ta detyronmë Edi Ramën të tërhiqet. Dhe po vazhdoi kështu, Edi Rama ka gjithë të drejtën të ëndërrojë që shumë shpejt dhe madje në të gjallë të tij, Tirana të mos quhet më Tirana që ndërtuan italianet, por Tirana që ndërtoi Edi Rama.