ARM gati për NATO. Ja sa kushton anëtarësimi

“Armata e Republikës së Maqedonisë është e përgatitur për NATO, por mungon sistemi adekuat i shtetit”. Kështu mendon ministrja e mbrojtjes Radmilla Sheqerinska e cila theksoi se anëtarësimi në NATO është vetëm njëra pjesë e integrimit të Maqedonisë në strukturat ndërkombëtare. Ajo tha se anëtarësimi në NATO do të ndihmojë edhe anëtarësimin në BE. Duke folur për sfidat e anëtarësimit në aleancë, Sheqerinska theksoi se mirëmbajtja e ARM-së kushton dhe për këtë arsye edhe është rritur buxheti për 15%.

“Në ndërkohë punët nuk kanë mbetur në pikën e njejtë, janë përkeqësuar dhe kjo është e qartë për të gjithë. Sigurimi i forcave tuaja ushtarake kushton dhe pa marrë parasysh a jemi anëtare e NATO-s ne duhet të mirëmbajmë të financojmë dhe të furnizojmë armatën dhe kjo nuk është punë e lehtë në asnjë vend. Sipas pjesëmarrjes tonë në misionet ndërkombëtare, sidomos në NATO forcat tona ushtarake janë të përgatitura, sistemi duhet te jetë më i mirë”, tha Radmilla Sheqerinska, Ministre e Mbrojtjes.

Stevo Pendarovski tha se buxheti i përgjithshëm i NATO-s është rreth 2 miliardë euro, ndërsa çdo anëtar kontribuon me rreth 3,5 deri në 4 milionë euro. Ai theksoi se anëtarësimi në NATO, Maqedonisë do t’i kushtonte sa dy luanët në urën Goce Dellçev.

“Kinse Maqedonia kur të hyjë në NATO nuk do të mund të përkrahë kontributin e rritur të buxhetit, që anëtarësimi kushton shumë dhe duhet të blejmë kushedi çfarë armësh, duhet të kemi pajisje etj. Buxheti i fundit i NATO-s është 2.2 miliardë dollarë. Në të gjitha vendet anëtare ndajnë diku rreth 3,5-4 milionë euro”, tha Pendarovski.

Ambasadorja e Kroacisë Danijela Barishiq, duke folur për përvojat e vendit të saj në luftën kundër terrorizmit si anëtare e aleancës veriatlantike theksoi se anëtarësimi në NATO nuk do të eliminojë sulmet e mundshme terroriste, por lejon qasje dhe këmbim më të madh të informatave me anëtaret tjera të aleancës.

“Për fat të keq ditët e sodit askush nuk është i siguruar apo i mbrojtur nga sulmet terroriste. por mund të keni informata para kohe. Kjo është ajo që përfitoni kur jeni anëtare e Nato-s. Nuk ka mbrojtje të 100% nga asgjë, por më lehtë është kur e dini që ndokush është në anën tuaj”, tha Barishiq.

Analisti Sasho Ordanoski kërkoi që Maqedonia të përcjellë rastin me Gjermaninë dhe Francën pas luftës së dytë botërore dhe të hapin një zyrë të përbashkët maqedono-greke në Selanik, për bashkëpunim të të rinjve.

“Unë dua që zyrtarisht t’i propozoj qeverisë Maqedonase, që të mundohen me grekët të hapin në Selanik një zyre për bashkëpunim të të rinjve, një zyre greko-maqedonase. Ajo zyre mes Francës dhe Gjermanisë ishte super e suksesshme. Qindra mijëra të rinj kaluan nëpër këto bashkëpunim që të kalojnë histori shumë më të rëndë se sa kemi ne me Greqinë”, u shpreh Ordanovski.

Ndryshe, paneli Anëtarësia e Republikës së Maqedonisë në NATO: detyra, sfida dhe mundësitë” u organizua nga qendra për liri CIVIL. Paneli publik tërhoqi edhe vëmendjen e përfaqësuesve të diplomacive të huaja në vend.