Ministria e Punëve të Brendshme njofton se sot kanë privuar nga liria dy persona nga Shkupi, pasi të njëjtit dyshohen se kanë grabitur shoferin e një automjeti të mallrave, dhe kanë vjedhur automjetin në të cilin kishte produkte, përcjell TV21. Nga MPB thonë se bëhet fjalë për një 21-vjeçar nga Hasanbegu i Shkupit dhe një tjetër person, i cili është i mitur.
“Sot (09.01.2023) në Shkup, zyrtarë policorë të Njësisë së Policisë për Intervenim pranë SPB-Shkup kanë privuar nga liria A.G.(21) nga fshati Hasanbeg i Shkupit dhe një 16-vjeçar nga Shkupi. Ata dyshohen se rreth orës 10:10 para një objekti të shitjes në rrugën “Zheglane” kanë kryer grabitje nga automjeti “Peugeot Boxer”, në pronësi të një kompanie. Përkatësisht, ata para objektit, me kërcënim ndaj të punësuarit, distributorit A.Sh.(39) nga Shkupi kanë marrë paratë nga qarkullimi ditorë, me çka janë larguar me veturën “Peugeot Boxer” dhe në fshatin Stajkovc, një pjesë të produketeve i kanë transferuar në një automjet tjetër, por shpejt janë kapur dhe janë ndaluar”, thonë nga MPB.