(E plotësuar) Është arrestuar i dyshuari për plagosjen e dy personave në fshatin Drajkovc të Shtërpcës. Reagimi i policisë rajonale të Ferizajt ka qenë i menjëhershëm dhe është arritur që i dyshuari të vihet nën pranga vetëm pak orë pas ngjarjes.
“Pas një pune intenzive hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren është identifikuar e më pas është arrestuar i dyshuari A.K. (Mashkull/Kosovar) i moshës 33-vjeçare”, ka njoftuar policia.
Sipas njoftimit i dyshuari është shoqëruar në Policinë Rajonale të Ferizajt për veprime tjera hetimore.
Plagosen dy persona në Shtërpcë
Dy persona janë plagosur, të premten, në orët e pasditës në fshatin Drajkovc të Shtërpcës nga persona tash për tash të panjohur, ka njoftuar Policia e Kosovës.
“Sot, datë 06.01.2023 rreth orës 15:19 policia e stacionit në Shtërpcë ka pranuar një informacion se në fshatin Drajkovc të Shtērpcës dy persona, njëri rreth 11 vjeçar dhe tjetri rreth 31 vjeçar janë plagosur nga arma e zjarrit nga personi/persona të panjohur i cili/të cilët ishin me një automjet të udhëtarëve në lëvizje, që po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes”, ka njoftuar policia.
Sipas njoftimit, dy të lënduarit janë dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtërpcë dhe pas marrjes së ndihmës së parë në Shtërpcë, për tretman të mëtutjeshëm mjekësor janë dërguar me autoambulancë për në qytetin e Graçanicës.
Sipas policisë të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë, derisa janë marrë të gjitha veprimet nga policia për hetimin e këtij rasti.
Policia ka bërë të ditur se aktualisht rruga që dërgon për në Shtërpcë është e bllokuar nga të dy drejtimet e lëvizjes./RTK