Arrestohet kongresmeni amerikan, i përfshirë edhe i biri në skandal

0

Prokurorët federalë ngritën të mërkurën akuza për tregti të paligjshme aksionesh kundër kongresmenit republikan Chris Collins, i cili u arrestua për t’u paraqitur më vonë gjatë ditës në gjykatën federale në Manhatan.Ligjvënësi nga Nju Jorku, një nga anëtarët e parë të Kongresit që mbështeti kandidatin e atëhershëm Donald Trump gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, u dorëzua vetë në Byronë Federale të Hetimeve të mërkurën në mëngjes.

Zyra e Prokurorit të SHBA në Qarkun Jugor të Nju Jorkut e akuzon kongresmenin Collins në lidhje me një skemë që ajo thotë se ai ka përdorur për të informuar në mënyrë të paligjshme persona të tjerë për të tregtuar aksione të një kompanie australiane të bioteknologjisë, shkruan VOA.

Më parë gjatë këtij viti, në një raport të Zyrës së Kongresit për Etikën thuhej se Collins mund të kishte kryer një krim federal duke u zbuluar investitorëve të tjerë informacione të brendshme të kompanisë. Investitorët në fjalë përfshinin edhe djalin e tij, i cili gjithashtu është akuzuar. Kongresmeni Collins ishte anëtar bordi i kompanisë.

Djali i tij, Cameron Collins, akuzohet se ia kishte kaluar informacionet një tjetri personi të akuzuar, Stephen Zarsky, i ati i gruas së tij.

Prokurorët thanë se në sajë të informacionit që shkëmbyen, të tre personat e përfshirë shmangën një humbje prej gati 770 mijë dollarësh.
Avokatët e zotit Collins thanë në një deklaratë se “do të bëjnë një mbrojtje të fuqishme për të pastruar emrin e tij të mirë”.

Kongresmeni po kandidon për rizgjedhje në nëntor dhe ka grumbulluar më shumë se 1.3 milionë dollarë për fushatën e rizgjedhjes.