“Artisti” shqiptar i partisë që u shndërrua në palaço

0

NOTI I SERVILËVE NË UJËRAT E PUSHTETEVE
Shkëlzen Halimi
Ishte një fakt i pamohueshëm: çdo hallkë e shoqërisë shqiptare kishte dalë jashtë normalitetit. Akoma nuk ishte gjetur as ilaçi për t’i trimëruar ata pak intelektualë, përfshi edhe ata që shiteshin si të tillë, që të dilnin nga zgafellet e tyre imagjinare dhe ta shohin të vërtetën në sy. Ata, fatkeqësisht kishin vendosur të shëtisin nëpër udhëkryqet e tranzicionit, nëpër të cilën kalonte (e kalon) shoqëria shqiptare. Shoqëria shqiptare rrallë u përball me mendim të shëndoshë, gjykim të shëndoshë. Çdo nismë e re që në fillim kërcënohej, denigrohej, sepse ishte e qartë se rrezikoheshin ata që e kishin marrë duart e tyre fatin e kombit.
Gjithçka dukej e mjegulluar edhe në lëmin e kulturës. Mungonte letërsia, kritika, teatri, mungonin përgjithësisht vlerat e mirëfillta që përcaktonin identitetin e shëndoshë. “Artisti” shqiptar i partisë që u shndërrua në palaço, kulturën filloi ta trajtojë ekskluzivisht si biznes, duke u marrë me politikë servile, me intriga e shantazhe. Ishin të shumta matrapazët e kulturës, të cilët interesat e veta i realizonin vetëm duke “vajtuar” në emër të popullit. Të tillët me sukses notonin në ujërat e pushteteve, duke qenë të përshtatshëm për çdo garniturë qeverisëse. Zvarranikë e tillë bënin pazare në emër të politikës shqiptare, në emër të patriotizmit shqiptar, në emër të kulturës shqiptare, në emër të sinqeritetit të atyre që nuk e kishin kuptuar se politika dhe intriga janë dy çështje që ushqejnë njëra tjetrin dhe që veçmas nuk mund të funksionojnë.