As madhështia e mysafirit nuk e mbuloi vogëlsinë e nikoqirëve!

Picture of INA
INA

14/08/2023

Shkruan: Kim Mehmeti

Që të mos del se, për cilëndo arsye, u shmangem pyetjeve të gazetarëve lidhur me vizitën e Kryeministrit të Kosovës në Tetovë e Shkup, ta them shkurt e qartë: ajo nuk shpërfaqi asgjë të re që nuk dihet dhe nuk është ndonjë fenomen i ri të cilin është duke e promovuar Albin Kurti.

Kjo vizitë është në vazhdën e ‘traditës’ politike që Tirana e Prishtina zyrtare të kenë ‘filialet’ e veta politike në Maqedoni, e madje të bëjnë garë se cila nga ato ka më shumë ndikim te shqiptarët e këtushëm.

Andaj edhe ka ndodhur që, kur partia shqiptare në pushtet nuk u ka dhënë mjaftueshëm dreka e darka zyrtarëve të Tiranës apo Prishtinës, apo kur nuk ua ka mbrojtur sa duhet biznes interesat e tyre, burrështetasit e atdhe Kosovës dhe të mëmëdhe Shqipërisë, t’i kenë përçarë partitë e këtushme që të mos mbeten pa ‘copëzën’ e vet

Pra vizita e Kryeministrit të Kosovës në Tetovë e Shkup është në vazhdën e traditës tredekadëshe të demokracisë shqiptare, traditë që e përfshinë ‘ritualin’ që sa herë drejtuesve të partive shqiptare në Maqedoni t’u has sharra në gozhdë, ata të shkojnë në Tiranë e Prishtinë dhe të fotografohen me burrështetasit e atjeshëm, duke e ripërtëri kështu ‘licencën’ e atdhetarisë.

Apo e kundërta: sa herë që merrej vesh, për shembull, se burrështetasit e Prishtinës janë anëtarë të ‘Klanit Pronto’, ‘shefi’ i kësaj vëllazëria, ta mbush thesin me dekorata dhe të vijë t’ua shpërndajë ato personaliteteve të shqiptarëve të Maqedoni, duke u premtuar kalimthi se është e do mbetet gardian i epur i tyre.

Dhe deri këtu çdo gjë është e njëjtë si në të shkuarën kur burrështetasit e Kosovës dhe të Shqipërisë interesoheshin për shqiptarët e Maqedonisë vetëm aq sa edhe për mishin e gicit të pjekur që e hanin në Shkup në drekat me liderët maqedonas dhe për atë të qengjit të ngrënë në Tetovë me kryesuesin e BDI-së.

Ajo që këtë vizitë e bënë të veçantë nga gjitha të tjerat është frika e klasës politike maqedonase nga Albin Kurti, e të cilin e adhuron shumica e shqiptarëve të Maqedonisë. Frikë që buron nga e vërteta se ai është model krejt tjetër krahasuar, për shembull, me Kryeministrin e Shqipërisë, të cilin e pëlqejnë thuajse të gjithë ‘hajdutokratët’ e Ballkanit sepse atij i mungon ajo që e ka të thekuar Kryeministri i Kosovës; idealin për mirëqenien e popullit të vet të kudondodhur!

Këtë vizitë e bënë të veçantë edhe e vërteta se rrallë ka ndodhur që partia qeveritare në Prishtinë të mbështetë partitë opozitare në Maqedoni. E që nuk ndodh pse këtë e donte Kryeministri i Kosovës por pse BDI-ja prej moti është kapur në rrjetin e projektit serb për ‘Ballkanin e Hapur’, e ku e çoi Kryeministri aktual i Shqipërisë.

Sidoqoftë Kryeministri i Kosovës u takua me drejtuesit e partive që i lindi partia e sotme shqiptare në pushtet, me çka del se ai donë t’i forcojë bijat e saj, e ta dobësojë nënën e tyre – BDI’në.

Ndërkohë u bë shumë zhurmë e panevojshme lidhur me këtë vizitë me çka u mbulua e vërteta se as pritja madhështore e Kurtit në Tetovë e Shkup nuk ia doli ta mbulojë vogëlsinë e drejtuesve të partive të këtushme opozitare shqiptare, e të cilët u lodhën duke u shtyrë mes vete që të fotografoheshin sa më pranë Kryeministrit të Kosovës, mbase duke e ditur se ajo fotografi do jetë vlera e vetme e madhe e tyre politike.

Të merremi vesh; autori i këtij teksti e ka mbështetur dhe e mbështetë Kryeministrin e sotëm të Kosovës. Edhe atë për një arsye shumë të thjeshtë: sepse ai është politikani më i mençur që e ka shqiptaria dhe është burrështetas që ka ideal, që është i gatshëm ta flijojë vetveten për shqiptarinë e jo shqiptarinë për të mbetur në pushtet.

Por e gjithë kjo, artikullshkruesit nuk ia pamundëson ta thotë një të vërtet: për Albin Kurtin të tjerët vlejnë vetëm për aq sa e adhurojnë dhe e mbështesin atë!

Madje më duket se ai jeton me bindjen se shqiptari i vërtet edhe nuk ka zgjidhje tjetër përpos ta përkrahë atë. Ku ta dish, ndoshta edhe nuk gabon gjithaq shumë, posaçërisht kur e sheh se cilët janë burrështetasit që e drejtojnë Shqipërinë e Maqedoninë dhe cilët janë drejtuesit e partive shqiptare të kudondodhura. (Kim Mehmeti)

TË FUNDIT
3 ditë
Naser Hani, atdhetari nga Veleshta që i dha shumë shqiptarisë
5 ditë
Rritja partive nacionaliste në Parlamentin e BE-së mund të ketë implikime për Maqedoninë dhe më gjerë
1 javë
Shkundja "FLontit" dhe kush po i ha "GURABIJAT"!
1 javë
Edhe PPD-ja i fitoi zgjedhjet dhe iku në opozitë, por s’qante si ti o Ali Ahmeti!
1 javë
Meloni në Shqipëri, ama duhet dhe qasje konstruktive, rajone europiane në Ballkan,investime, etj

ME TE LEXUARA

No data was found

LEXO MË SHUMË

Naser Hani

Naser Hani, atdhetari nga Veleshta që i dha shumë shqiptarisë

muhamer pajaziti

Rritja partive nacionaliste në Parlamentin e BE-së mund të ketë implikime për Maqedoninë dhe më gjerë

Naser Pajaziti

Shkundja “FLontit” dhe kush po i ha “GURABIJAT”!

fejzi hajdari

Edhe PPD-ja i fitoi zgjedhjet dhe iku në opozitë, por s’qante si ti o Ali Ahmeti!

muharrem salihu

Meloni në Shqipëri, ama duhet dhe qasje konstruktive, rajone europiane në Ballkan,investime, etj

durresi plazh bregdeti deti shqiptar golem

Shqipëria e përmbytur nga turistë qoftesh e jo milionash…!?

isabel alende

Isabel Alende: Pse njerëzit janë lodhur nga demokracia dhe po përqafojnë diktaturat

urim hasipi

Me marrëveshjen e Ohërit është thyer ëndrra e shqiptarëve

adnan azizi

Strofulla e fundit e maskarenjëve është “patriotizmi”

INFO

NA NDIQ