shkruan Arbër Çeliku
Mërgimtarët kërçovarë që për 5 dekada kanë nxjerrë bukën e gojës në Zvicër, Gjermani, SHBA dhe gjetiu nëpër botë, nuk kthehen dot në vendlindje nga frika e sëmundjes, vdekjes, sepse Kërçova nuk ka mjekësi.
Spitali i ngjan një objekti fantazmash, është kthyer në strehimore qensh endacakë, në një çmendinë ku mund të hysh i shëndoshë dhe të dalësh i sëmurë.
Për dekada me radhë, politikanët e pozitës dhe opozitës, në kohë zgjedhjesh, për të fituar votën mbi hallin, mjerimin e kërçovarëve, dilnin para mediumeve, të rrethuar nga mantelbardhët, që gjithë rininë e tyre e kanë shkrirë për atë diplomë, dhe proklamonin gjithë pompozitet ndërtimin e spitalit, me ngërdheshjen e pafund se edhe kësaj radhe ua hodhëm kërçovarëve.
Dhe ja sot, le që rinia po ik, por as pensionistët nuk kthehen më.
Nuk na besojnë më. As të varrosen nuk duan më në tokën e tyre të larë me gjak ndër shekuj.
Merruni me Putinin tash, bota ka nevojë për leksionet tuaja politike…