Aleanca për Shqiptarët kauza e të cilës ishte heqja e referencës 20 për qind nga Kushtetuta, duket se së fundi ka hequr dorë nga kjo kërkesë, raporton Alsat.
Krerët e kësaj partie kohë më parë në disa raste kanë theksuar se tani është koha për këto ndryshime.
“Ne si ASH do të vazhdojmë të shtyjmë përpara kërkesën tonë për heqjen e 20 për qind e cila mohon identitetin shqiptar dhe të fusim në Kushtetutë gjuhën shqipe. Vlerësoj dhe besoj se tani është momenti që të bëjmë këtë ndryshim”, deklaroi tha Arben Taravari, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët”, kishte deklaruar kohë më parë, kreu i kësaj partie, Arben Taravari.
Por tani Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga njëherësh bartës i procesit të ndryshimeve Kushtetuese thotë se për momentin nuk mundet që VMRO-DPMNE-së t’i jepet alibi për të mos i mbështet ndryshimet.
“Kërkesa për heqjen e 20 për qind do të vazhdojë të mbetet e tillë, por ne nuk mund t’i japim luksin VMRO-së që për shkak të 20 për qind të mos e jap mbështetjen e saj,” deklaroi Krenar Lloga, Ministër i Drejtësisë.
Në këtë arsyetim partia e Taravarit ka vetëm mbështetjen e BDI-së, ndërsa kundërshtohet nga Alternativa dhe Lëvizja Besa.
ASH që nga formimi i saj kishte poentuar me heqjen e 20 për qind nga kushtetuta. Madje më këtë kishte kushtëzuar edhe pjesëmarrjen në Qeveri. Në draft-amendamentet aktuale nuk përfshihet ndërhyrja në Amendamentin 5 të Kushtetutës ku gjuha shqipe përcaktohet si gjuhë të cilën e flasin të paktën 20 për qind e popullatës. /Alsat.mk