ASH: Asistenti i Jankullovskës nuk mund të hetojë parregullsitë zgjedhore

Aleanca për Shqiptarët është shprehur kundër emërimit të prokurori Xhelal Bajrami për kryetar të Komisionit për ndjekjen e parregullsive zgjedhore.

“Regjimi LSDM-BDI edhe një herë po dëshmon se do të bëjë çdo gjë për të penguar zgjedhjet e lira, fer dhe demokratike. Prokuroria ka themeluar komision të përkohshëm për ndjekjen e parregullsive zgjedhore, të udhëhequr nga ish Zëvendës ministri i punëve të brendshme, Xhelal Bajrami, i cili u bë i famshëm si asistenti i Jankollovskës në montimin e rastit Monstra. Të gjithë ishim dëshmitarë se si janë zgjedhur gjykatësit dhe prokurorët në kohën e “tefterëve” të Jankullovskës”, thuhet në reagimin e ASH-së.

Më tej theksohet se “emërtimi i një kuadri kryekëput partiak në krye të komisionit që duhet të jetë i pavarur, flet më së miri për vullnetin e regjimit hibrid për manipulimin e zgjedhjeve.

“U bëjmë me dije se do të ndjekim në çdo hap, çdo mashtrim dhe çdo tentativë për të vjedhur zgjedhjet nga ana e tyre, ndërsa fjalën kryesore do ta kenë qytetarët të cilët me dalje masive dhe shfrytëzimin e së drejtës së votës do të pamundësojnë çdo manipulim të regjimit”, thuhet në fund të reagimit të ASH-së. (INA)