ASH: Keqpërdorime të reja nga drejtori joligjor në shkollën “26 Korriku” në Shuto Orizarë (VIDEO)

Astrit Aziri, nga dega e ASH-së në Shuto Orizarë ka njoftuar për shkelje të vazhdueshme dhe keqpërdorime të reja nga drejtori joligjor në shkollën “26 Korriku” në Shuto Orizarë.

“Jemi këtu para Shkollës Fillore “26 Korriku” e cila përveç se u degradua, tani edhe po plaçkitet nga udhëheqësia jo legjitime dhe jolegale. Drejtori i kësaj shkolle, i cili është vëllai i Kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, pasi u emërua në mënyrë antiligjore me diktat të ministrit për arsim, po vazhdon me keqpërdorimin e buxhetit të shkollës. Së fundmi ai ka filluar ndërtimin e rrethojave të shkollës, pa asnjë nevojë dhe arsyetim, sepse shkolla ka rrethoja metalike të ndërtuara para dy viteve. I njëjti drejtor ka filluar edhe fasadimin e shkollës, por edhe ky investim është kryer para pak kohësh dhe fasada është tërësisht e re. E gjithë kjo duket qartë se bëhet vetëm për t’i shpenzuar mjetet e shkollës dhe ndoshta për t’i ndarë paratë ndërmjet vete përmes grupeve dhe kompanive që kontraktohen pa tender dhe në katër sy.

Kujtojmë se ky drejtor, me bashkëpunëtorë të tij, muaj më parë u emërua edhe pse nuk i plotëson kushtet, nuk posedon me çertifikatat e nevojshme dhe nuk ka pëlqim nga inspektorati. Në kohën kur u emërua dhunshëm, i njëjti, siç u pa edhe nga pamjet e transmetuara në emisionin “Stop” në Shqipëri, kishte vjedhur edhe topa dhe inventar nga shkolla. Sot është e qartë se si mundet një drejtor, i cili ka pasur vetë pagë arsimtari, të shëtis me Mercedes të shtrenjtë, ndërsa arsimtarët e tjerë mezi mbijetojnë. Ftojmë Komisionin për

uParandalimin e Korrupsionit, inspektoratin dhe organet e tjera kompetente që të hetojnë keqpërdorimet dhe të ndalen të njëjtat, ndërsa Ministri i Arsimit të heq dorë nga emërimi i tij i dhunshëm”, theksoi Astrit Aziri.(INA)