Kjo javë do të jetë vendimtare sa i përket vendimit të Aleancës për Shqiptarët për tu bërë pjesë e shumicës parlamentare.
Ekipi partiak që u paralajmërua nga kreu i partisë Arben Taravari nga sot fillon aktivisht punën, edhe pse zyrtarisht nuk ka ndonjë konfirmim nga ASH, se është zgjedhur ekipi.
Megjithatë siç mëson INA tanimë një ekip partiak veçmë mban komunikim me BDI dhe LSDM dhe ata janë figura kyçe tek Aleanca.
Nga ASH theksuan se pas konsultimeve brendapartiake do të përpilohen kushtet, të cilat Taravari zyrtarisht do t’ia dorëzojë kryeministrit Dimitar Kovacevski, i cili veçmë ka paralajmëruar zgjerimin dhe rritjen e shumicës parlamentare. Jozyrtarisht kanë qarkulluar spine partiake se ASH do ti takojnë: Ministria e Drejtësisë, Ministria e Ekologjisë, Ministria e Shëndetësisë, që do ti merret Alternativës.
Një burim nga shumica parlamentare tha për INA në lojë është edhe posti i zëvendëskryeministrit për çështje ekonomike që e mban Fatmir Bytyqi nga LSDM, por nga kjo parti mohojnë diçka të tillë.
Po ashtu në koluaret partiake tashmë po përfliten edhe emra të kandidatëve për ministra, por gjithçka jozyrtare.
Megjithatë, kreu i ASH-së, Arben Taravari dje deklaroi se nëse nuk arrihen 80 vota të nevojshme për hapjen e kushtetutën, nuk ia vlen hyrja e tyre si pjesë e shumicës. “Personalisht mendoj se nëse nuk ka numër 80, nuk ja vlen të zgjerohet Qeveria. Por them se ka gjëra të cilat mund të ndihmojnë edhe duke u zgjeruar Qeveria. Mendoj se para anëtarëve të Kuvendit do t’i shpalosi të gjitha faktet dhe argumentet të cilat i kam, ta bisedojmë, ta diskutojmë dhe ta vendosim bashkë”, deklaroi Taravari.
Hyrja e ASH-së brenda koalicionit mund të prodhoj edhe lëvizje brenda shumicës aktuale parlamentare. Jozyrtarisht janë shtuar zërat për braktisjen nga “Grupi i Zjarrit” që jozyrtarisht përfliten 3 deri 4 deputetë, përfshirë edhe deputetin Kastriot Rexhepi, që vepron si i pavarur pas braktisjes së Lëvizjes BESA.
Edhe Alternativa tashmë po shqyrton mundësinë që të braktisë Qeverinë nëse do ti merret Ministria e Shëndetësisë. Kjo parti aktualisht ka 3 deputetë, pa përfshirë Skender Rexhepin – Zejdi, i cili po ashtu mund të abstenoj në këto zhvillime. Ndërkohë kundër hyrjes së ASH-së janë edhe deputetët e partive të vogla që janë pjesë e koalicionit me LSDM.
“Hyrja e ASH-së duke prekur marrëveshjen Zaev-Gashi do të reflektonte që përveç Alternativës, shumica të rrezikon edhe mbështetjen nga 8 deputetët e partive të vogla të cilat gëzojnë vetëm një ministri, atë të Pushtetit Lokal. Në këtë rast shumica do të rrezikonte humbjen e 11 deputetëve, pa mos përfshi këtu dy deputetët e grupit të zjarrit brenda BDI-së dhe dy deputetët e pavarur Skender Rexhepi dhe Kastriot Rexhepi”, ka shkruar Alsat.
Andaj skenari për hyrjen e ASH-së mund të shkaktoj dhe thellojë edhe më tepër çarjet brenda shumicës aktuale parlamentare që numëron 64 deputetë.
Nga VMRO-DPMNE sërish sot kanë dalur me reagim se kjo është një tentativë që Kovaçevski të qëndrojë artificialisht në pushtet. Nuk përjashtohet mundësia që Kovaçevski në ditët në vijim të mbajë takim lidershipi me partnerët e koalicionit për të nxjerrë më qartë konturet e përbërjes së ardhshme të mundshme qeveritare në të cilën ende nuk dihet nëse do të mbetet Alternativa. (INA)