Aleanca për Shqiptarët (ASH) e Arben Taravarit ka reaguar ashpër ndaj praktikave të koalicionit VLEN, duke i akuzuar për keqpërdorim të punësimeve dhe të qytetarëve shqiptarë për qëllime propagandistike dhe elektorale.
Sipas ASH-së, përfaqësues të këtij grupacioni politik, në mungesë të rezultateve konkrete, janë duke organizuar fushata të inskenuara mediatike, ku shfaqen me persona të sapopunësuar, shpesh me kontrata të përkohshme, vetëm për të krijuar iluzionin e përfaqësimit dhe progresit.
“Në një akt të papërgjegjshëm dhe të pamoralshëm, ata publikojnë fotografi me qytetarë të sapopunësuar, duke cenuar rëndë privatësinë, dinjitetin dhe integritetin e tyre,” thuhet në deklaratën e ASH-së.
Partia vlerëson se kjo qasje përfaqëson një zhbërje të vlerave institucionale dhe një rënie të thellë të standardeve morale, duke denoncuar se publikimi i fytyrave të të punësuarve bëhet shpesh si kusht për punë, një praktikë të cilën e konsideron poshtëruese dhe të dënueshme etikisht.
ASH thekson se, në vend të një qeverisjeje dinjitoze, qytetarët shqiptarë po përballen me vazhdimësinë e skemës diskriminuese “20 me 0”, në favor të maqedonasve dhe në dëm të shqiptarëve, ndërsa përfaqësuesit e VLEN-it mbajnë rolin e “mbretërve” përballë qytetarëve të trajtuar si “robër” për një vend pune.
“Pas çdo fotografie që fshihet pas një mjegullimi, fshihet një familje e zhgënjyer dhe një qytetar i keqpërdorur për propagandë,” thuhet më tej.
ASH gjithashtu akuzon koalicionin VLEN se kanë heshtur ndaj emërimeve politike të figurave si Petar Bogojeski, përfaqësues i partisë “Koncepti Maqedonas”, të cilin e konsiderojnë simbol të qëndrimeve antishqiptare, si dhe ndaj promovimit të ligjeve të hartuara nga Tanja Karakamisheva-Jovanovska, një tjetër figurë e njohur për retorikën nacionaliste.
“Shqiptarëve nuk u shërbehet me fotografi fasadë dhe as me poste për antishqiptarë. Këto janë poshtërime, jo politika përfaqësuese,” përfundon deklarata.
ASH paralajmëron se qytetarët tashmë e kanë kuptuar lojën, dhe se zgjedhjet e tetorit do të japin përgjigjen e merituar ndaj atyre që, sipas saj, tradhtuan interesat shqiptare dhe u bënë fasadë e koalicionit më të padrejtë në historinë pluraliste të vendit.(INA)