ASH shqetësime për shëndetësinë: Kardiokirurgjia pediatrike në Shkup jo fatin e hemodializës

0

Parakusht për realizimin e Partneritetit Publiko Privat në të gjitha sferat, sidomos në shëndetësi, është kompleks dhe kërkon përgatitje të Programit nacional dhe strategjisë për zbatimin e PPP-së. Ministri i shëndetësisë tenton të realizojë një projekt duke mos i pasur këto përgatitje bazike e më e rëndësishmja, ministrit i mungon transparenca!

Me mekanizmin e Partneritetit Publiko Privat, Maqedonia deri tani ka eksperiencë vetëm në dhënien e koncesioneve për parkim, ndërtimtari (rrugëve), mbledhjen e mbeturinave etj. Aplikimi i PPP-së në shëndetësi është shumë më kompleks dhe kërkon qasje serioze. Edhe qeveria e kaluar e realizoi një formë të PPP-së pa asnjë përgatitje paraprake, atë me dhënien në koncesion të qendrave të dializës, por paraprakisht rritën çmimin e një seance për 30%, dmth koncesioneri privat i mori të gjitha qendrat publike të dializës dhe me investime modeste iu mundësua të fitojë shuma të mëdha në shpinë të shtetit dhe pacientëve e familjarëve të tyre. Vallë ky është sistemi i PPP-së që planifikon ta realizojë ministri Filipçe?!?

Në shtetet e BE-së apo në nivel botëror implementimi i këtij sistemi në shëndetësi është bërë fillimisht duke përgatitur projektin për realizimin e saj, fushat ku do aplikohet, mënyrën e aplikimit, pritshmëritë, kohëzgjatjen, përfitimet etj. Shembuj konkret kemi edhe në shtetet fqinje ku janë respektuar të gjitha protokollet dhe kanë filluar të japin rezultatet e para pozitive. Ministri nuk na ofron asgjë nga kriteriumet e lartpërmendura, por tenton që në mënyrë improvizuese të implementojë një sistem duke mos na ofruar asnjë të dhënë apo plan. Kjo mënyrë e privatizimit që tenton ta implementojë ministri, kësaj radhe në fushën e kardiokirurgjisë pediatrike do të nxis akoma më shumë shkatërrimin e Qendrës Klinike Universitare, si dhe do të nxis edhe më tej largimin e stafit mjekësor nga vendi.

Si parakusht për këtë është që fillimisht të investojë në shëndetësinë publike, të përmirësojë kushtet dhe të ofrojë shërbime kualitative. Nuk mund të insistohet për një PPP ndërsa ndërkohë shkatërrohet shëndetësia publike.

Departamenti i Shëndetësisë i Aleancës për Shqiptarët fton ministrin Filipçe që të hap debat transparent dhe të mësojë nga ne se si duhet të implementohet ky projekt kaq i dobishëm dhe i rëndësishëm në botën moderne.