Pak vizitorë, pak stenda… Librat në gjuhën shqipe në Panairin e Librit në Shkup, këtë edicion ishin edhe më të reduktuar, në gjithsej gjashtë stenda ku pranë njëri tjetrit gjendeshin shtëpitë botuese Albas, Nobel, Fan Noli (Shqipëri), Logos-A, Furkan, Dituria Islame (Kosovë)… Në ditët e fundit të panairit botuesit ndahen thuajse të zhgënjyer nga frekuentimi i dobët, edhe pse siç pohojnë një pjesë prej tyre nuk kanë pasur pritshmëri të tjera.
“Pak. Numri i vizitorëve ka qenë i vogël, me përjashtim të fundjavës që ishte pak më ndryshe. Edhe këtë herë si vizita të organizuara me nxënës kishim vizitorët e njëjtë si edhe vitin e kaluar, që i sjell mësuesja e një shkolle”, thotë Shyrete Ajrullahu nga Albas. Në stendën e kësaj shtëpie botuese, që së bashku me Logos-A kanë numrin më të madh të titujve, gjenden së bashku literaturë për fëmijë, që nga librat me përralla për moshat nga 3 vjeç…., e deri tek enciklopeditë. “Nuk ka ndonjë ndryshim. Ashtu si çdo vit”, thonë shtëpia botuese Fan Noli, që është edhe stenda e vetme nga Shqipëria.
Nga Kosova shtëpia e vetme botuese me 70 tituj është Dituria. Ky është viti i dytë i pjesëmarrjes dhe janë të kënaqur. “Kemi patur vizitorë, të interesuar për atë që ofrojmë ne, literaturë fetare, shkencore”, thonë nga Dituria Islame. Nga shtëpia botuese Furkan, të pakënaqur fajësojnë organizatorët që çdo vit iu rezervojnë cepat e sallës së Panairit. “Ka patur vërtet pak vizitorë. Por faji është tek mungesa e informimit, tek organizatorët që na bëjnë diskriminim teknik të qëllimtë çdo vit. Duket se nuk na duan këtu”, thonë nga Furkan.
Por edhe vizitorët ndahen të pakënaqur. Ankohen për çmimet, por edhe për mungesë aktivitetesh apo promovime titujsh të rinj e autorësh që prej disa vitesh mungojnë për publikun shqiptar. “Prisja të shihja më shumë tituj, por ato që kërkoja nuk i gjeja. Nuk ka ndonjë risi”, thotë një vizitor.
“Çmimet janë të larta. Nuk ka ndonjë ulje, apo oferta tërheqëse për lexuesin”, thotë një student. Me sloganin “Ushqim për Shpirtin”, në edicionin e 37-të të PNL morën pjesë 65 shtëpi botuese. Për dallim nga këndi i stendave të botuesve shqiptarë, pjesa tjetër gjatë gjithë ditëve ka qenë e mbushur me vizitorë dhe organizime të ndryshme, mes të cilave 110 promovime dhe takime me autorë. Me oferta dhe ulje çmimesh të afishuara dukshëm thuajse në çdo stendë, kënde prezantimesh dhe edukative për fëmijë. Ky edicion u hap nga presidentja Gordana Siljanovska dhe ministri i kulturës Zoran Ljuktov me theksin tek 80 vjetori i kodifikimit të gjuhës maqedonase. Ministria e Kulturës e Serbisë zuri një vend të posaçëm me disa promovime librash dhe titujsh, ku nuk mungonin ato provokativë si “Kosova dhe Metohija”. (koha.mk)