Aktori dhe regjisori i njohur Kastriot Abdyli ka reaguar ashpër pas ceremonisë së ndarjes së mirënjohjeve për sportistët në Maqedoninë e Veriut, ku sipas tij asnjë sportist shqiptar nuk është vlerësuar, pavarësisht kontributit të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare.
Në një postim publik, Abdyli shpreh indinjatën për përjashtimin e emrave të mëdhenj të sportit shqiptar, duke përmendur në mënyrë të veçantë Artim Shaqirin, ish-futbollist i kombëtares së Maqedonisë së Veriut.
“Si është e mundur që në sportet kolektive të anashkalohet Artim Shaqiri, futbollisti që ka luajtur 73 ndeshje për përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut dhe ka shënuar 15 gola?” – pyet Abdyli.
Ai rikujton se Maqedonia e Veriut ka marrë famë ndërkombëtare në sport pikërisht falë sportistëve shqiptarë, të cilët kanë fituar medalje olimpike dhe kampionate botërore e evropiane.
Abdyli rendit tre prej figurave më të spikatura:
1. Shaban Trstena
• 1 medalje ari dhe 1 argjendi në Lojërat Olimpike
• 1 medalje bronzi në kampionate botërore
• 2 medalje ari, 3 argjendi dhe 1 bronzi në kampionate evropiane
• 3 medalje ari në Lojërat Mesdhetare
2. Shaban Sejdiu
• 2 medalje bronzi në Lojërat Olimpike
• 2 medalje argjendi në kampionate botërore
• 2 medalje ari në kampionate evropiane
• 3 medalje në Lojërat Mesdhetare
3. Azis Saliu
• 1 medalje bronzi në Lojërat Olimpike
• 1 medalje bronzi në Kupën e Botës
• 1 medalje ari në Lojërat Mesdhetare
• 8 tituj kampion në ish-Jugosllavi
“Si mund të anashkalohen këto arritje kur flasim për sportistë që e kanë ngritur flamurin e Maqedonisë së Veriut në arenën ndërkombëtare?” – përfundon reagimin e tij Abdyli.
Reagimi i tij i bashkohet zërave të tjerë që kanë kërkuar vlerësim të barabartë dhe gjithëpërfshirës për të gjithë sportistët, pa dallim etnie, si dhe respekt të kontributit që shqiptarët kanë dhënë në sportin maqedonas ndër vite. (INA)