Asociacioni nuk do të formohet në mandatin e Kurtit, ai do të dorëhiqet dhe ja çka do të ndodhë pastaj

Iliria News Agency
Iliria News Agency

04/01/2023

Liri Loshi, ish-kandidat nga Lëvizja Vetëvendosje për deputet të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se kriza e fundit në veri të Kosovës, ishte artificiale. Ai ka thënë se edhe pse u kritikua për raportet me Amerikën, e drejta ishte në anën e kryeministrit Albin Kurti, pasi Serbia po ledhatohet dhe nuk po ndëshkohet nga Perëndimi.

Ish-mjeku i UÇK-së, ka thënë se edhe me heqjen e barrikadave në verri, thesi i problemit me emrin Asociacion i Komunave me shumicë serbe ka mbetur, përcjell Bota sot.

Ai parashikon që kryeministri Kurti, nuk do të lejojë formimin e Asociacionit, pasi në këtë mënyrë, ai do të “bënte vetëvrasje politike”. Sipas tij, Kurti mund të dorëhiqet dhe pas zgjedhjeve të reja, të vijë prapë në pushtet.

Vështrimi i plotë i Loshit, i publikuar në Facebook:

Presioni joparimor ndaj Albin Kurtit është padrejtësi ndaj Kosovës

E nisa Vitin e ri me një vështrim politik. Ku dhemb dhembi shkon gjuha, thonë. E për neve si duket edhe 2023-ta do të shkojë me dhembje dhembesh e dhemballësh!

Për mendimin tim ajo që ndodhi në Veri ishte një krizë artificiale. Amerika i tha Albinit se duhej të hiqte dorë për një kohë nga Marrēveshja për targat. Por, ai vendosi të shkonte pas mendjes së vet dhe jo pas udhëzimeve të Amerikës. Edhe pse ne (unë për shembull) e kritikuam Albinin për moskoordinim me Amerikën, mendoj se e drejta ishte në anën e tij dhe jo në anën tonë, meqë Amerika dhe Europa, krejt padrejtësisht po i bënin një ledhatim Serbisë në vend se ta ndëshkonin atë për refuzimin që ta denonte agresionin rus mbi Ukrainë në një kohë që e tërë Evropa e ka denuar e kur Serbia po pretendon t’i bashkohet po kësaj Evrope!

A ishte politikë e mençur kundërshtimi që i bëri Albin Kurti propozimit amerikan për një moratorium dhjetë muajsh me Serbinë? E kam thënë më parë dhe e them prapë se nuk ishte. Edhe zhvillimet e mëtejme vërtetuan se kooperimi me Amerikën ishte më i favorshëm sesa ngulja këmbë e pastaj shkulja në emër të po atij kooperimi! Por, drejtësia dhe mençuria nuk janë dy gjëra të njëjta. Nganjëherë njerëzit vendosin me vetëdije të plotë drejtësinë mbi mençurinë dhe mbi arsyen. Pse e bëjnë këtë? Mbase e bëjnë për populizëm, por nuk përjashtohet mundësia se e bëjnë për të qenë konsistentë me parimet e tyre dhe përgjithësisht me parimësinë. Njerëz të tillë janë të pakët në jetë e në politikë pothuajse nuk ekzistojnë. Po ja që sillet fati dhe në pushtet ndonjëherë, pothuaj jashtë çdo norme, vjen ndonjë njeri parimor. Tash, pse ne jemi shtet i dobët e Amerika shtet i fuqishëm, nuk do të thotë se ajo e ka gjithnjë mirë e ne gjithnjë keq! Dikush duhet me dalë e me i tregu Amerikës se ledhatimi i Serbisë në kohën kur ajo duhet të dënohet, është jashtë parimeve dhe korrektësisë.

Ne, pavarësisht se nuk i japim të drejtë Albinit, sepse e dimë se pa Amerikën, nuk mund ta bëjmë asnjë hap, nuk guxojmë të largohemi nga parimi dhe parimësia dhe ta kryqëzojmë atë pse me kokëfortësi rri i ngjitur për parimeve. Në këtë kontekst nuk është fer që fajin për krejt situatën e krijuar pastaj ta hedhim mbi Albin Kurtin. Faji kësaj radhe ishte i të gjithëve ngapak, por më së paku i Kosovës e i Amerikës më së shumti! Askush e as Serbia vetë nuk e ka pritur se Amerika do ta ndërronte kursin e vet parimor duke i dhënë Serbisë karrotën në vend të shkopit. Pasi serbët morën karrotën që nuk e meritonin e shqiptarët hëngrën shkopin, që po ashtu nuk e meritonin, të parët shpërblimin e pamerituar e morën si të mirëqenë dhe mbi bazë të tij filluan të ndërtojnë kauza politike në kundërshtim me çdo parim.

Barrikadat serbe u inkurajuan direkt nga SHBA dhe nga Europa dhe jo nga Albin Kurti. Ishte një absurd i llojit të vet kur shihje opozitën kosovare duke kundërshtuar qasjen parimore të kryeminsitrit Kurti. Kundërshtohej vetëm pse Amerika kishte vendosur për t’i bërë qejfin Vuçiqit! Po nëse strategji e Amerikës ishte që t’i jepej shansë Vuçiqit për të reflektuar ndaj qëndrimeve të tij proruse, opozita jonë nuk kishte nevojë që ta luftonte kryeminsitrin e shtetit të vet me të njëjtën armë, meqë ajo armë po e godiste Kosovën dhe jo Serbinë! Kështu, çuditërisht, opozita mori anën e joparimësisë amerikane dhe europiane! Kjo thjesht i bie që ajo mori anën e Vuçiqit! Dhe çfarë dreq strategjie është kjo, pos për ta dëmtuar seriozisht vetëveten. Si u bë që opozitarët harruan se politika e Vuçiqit nuk është politikë kundër pushtetit që aktualisht i ka rënë hise Albinit ta drejtojë, por kundër shtetit të Kosovës?!

Tani që barrikadat janë hequr, thesi i problemit ka mbetur. Ai vetëm është hedhur pas shpine. Ky thes e ka emrin Asociacion i komumave me shumicë serbe. Europa dhe Amerika po thonë se ky asociacion duhet të bëhet sa më parë. Ata mbase e thonë me të drejtë, sepse një qeveri e shtetit të Kosovës e ka nënshkruar një marrëveshje të tillë dhe tash sipas rendit qeveria aktuale duhej ta zbatonte. Por, a është normale që një politikan që kauzë politike të tij ka pasur kundërshtimin e “Zajednicës” të heq dorë nga ajo, vetëm që të mos bjerë nga pushteti?! Nëse Albin Kurti lëshon pe për “Zajednicën” ai më nuk është Albin Kurti. Prandaj unë pres që Albini të mbetet Albin dhe ”Zajednica” të mos ndodh në mandatin e tij. Nëse ndodh atëherë kjo do të ishte vetëvrasje e tij politike. E, në politikë mund t’i shpëtosh një atentati që ta bëjnë të tjerët, por nëse vetëvritesh nuk shpëton dot. Për këtë arsye presioni i shtuar i bashkësisë ndërkombëtare mund të përfundojë me dorëheqjen e Kurtit dhe qeverisë së tij. Pastaj vijnë zgjedhjet. Pastaj mund të vijë në pushtet prapë Albini, pra një Albin me parime të njëjta. Dhe kështu lufta politike e shqiptarëve ndaj defunksionalizimit të shtetit të Kosovës vazhdon. Nëse Albin Kurti na ka shfrytëzuar neve për të ardhur në pushtet me kauzën e tij, atëherë është koha që ne ta shfrytëzojmë atë për kauzën e njëjtë që duket se tash është më shumë e jona sesa e tij! Pra për një Kosovë kompakte dhe sovrane.

Zhvillimet e fundit e kanë vërtetuar se Vuçiqi dhe Serbia janë të gatshëm të aktrojnë e të manipulojnë, por për një luftë të re nuk janë të gatshëm. E, shqiptarët nuk bën të kthejnë me negociata atë që e kanë fituar me luftë. S’ka nevojë. Serbia le ta bëjë politikën e vet e ne bëjmë politikën tonë.

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

derivate nafta dizeli benzin

A do të rriten çmimet e derivateve të naftës në Maqedoni pas ngjarjeve në Lindjen e Mesme?

asambleja-kie-keshilli-i-evropes

Dy ditë historike për Kosovën në Strasburg – sot nis Asambleja e Këshillit të Evropës

Keshilli-i-Sigurimit-OKB

Guterres drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së: As rajoni dhe as bota s’mund të përballojnë një luftë tjetër

shkupi

Turistët nga Turqia dominojnë për turizëm në Maqedoninë e Veriut

BE bruksel EU Bashkimi Evropian Unioni

EMRAT/ Ja kush janë ambasadorët dhe emisarët e rinj të BE-së në Ballkanin Perëndimor

hotel mijallkov oher

Kompania e Mijallkovit filloi me ndërtimin e një hoteli luksoz në Ohër, reagon “02 Iniciativa”

moti shiu

Ndryshime të mëdha të motit: Nga mesi i javës Maqedonia duhet të përgatitet për ulje drastike të temperaturave

nafta tregjet

Rritet çmimi i arit dhe i naftës! Si po ndikon në tregjet financiare sulmi i Iranit ndaj Izraelit

lindja mesme iran irak izrael

Shkupi formon shtab krize për evakuimin e shtetasve nga Lindja e Mesme

INFO

NA NDIQ