Athina nuk pranon Ramën si ndërmjetësues mes Turqisë dhe Greqisë

0

Ka filluar numërimi mbrapsht për takimin e grupeve teknike mes Greqisë dhe Turqisë për raundin e 61 të bisedimeve për një marrëveshje të mundshme. Dy palët pritet të takohen më 25 Janar në Stamboll.

Megjithatë, e përditshmja greke Kathimerini, shkruan se shteti helen nuk di se çfarë të presë pas pothuajse 5 vitesh mungesë bisedimesh. Sipas tyre gjithçka vështirësohet me nacionalizimin e theksuar të Ankarasë sidomos pas grushtit të shtetit në 2016-ën.

Gjithashtu sipas Kathimerinit, Athina e ka të qartë se ajo që po diskutohet në publik ditët e fundit bëhet sa për të krijuar impresione. I tillë është sipas tyre propozimi i palës turke që kryeministri Edi Rama të shërbejë si ndërmjetësues në takimin mes dy ministrave të Jashtëm, Nikos Dendias dhe Mevlut Cavusoglu në Tiranë.

“Është diçka që pala greke me sa duket nuk e pranon”, shkruan media greke.

Më vonë u publikua lajmi se mes ministrave të Jashtëm nuk do të ketë një takim më 25 Janar.

“Asnjë takim i tillë mes Dendias dhe Cavusoglu nuk është planifikuar apo rënë dakord”, shkruan Kathimerini pas vendimit për të rinisur bisedimet teknike mes të dyja palëve.

“Ministri grek për Punët e Jashtme ka marrëdhënie miqësore me homologun e tij turk, por nuk është planifikuar një takim mes të dyve javët e ardhshme. Dendias mbetet i hapur për mundësinë e një takimi me Cavusoglu kur rrethanat ta lejojnë”, tha një burim për Kathimerini.

Por më herët, ministri turk pati deklaruar se mes tij dhe Dendias ka dakordësi për një takim më 25 Janar.

Kontaktet mes Greqisë dhe Turqisë do të rinisin pas rreth 5 vitesh që kur u ndërprenë në vitin 2016. Mes palëve janë zhvilluar që nga 2002-shi 60 raunde takimesh për një marrëveshje mbi demarkimin e ujërave territoriale, e cila në disa aspekte ishte pranë arritjes.

Pala greke ka deklaruar se nuk ka ndërmend të diskutojë asgjë tjetër përveç zonave detare (ujërat detarë, shelfi kontinental dhe zona ekskluzive ekonomike).

Nga ana tjetër, turqit kanë ngritur një sërë çështjes sa i përket delimitimit të ishujve dhe sovranitetit të disa të tjerave. Raundi i 61 i takimeve pritet që të jetë më shumë e natyrës njohëse. Pra të dyja palët do të njihen me qëllimet që kanë delegacionet përkatëse./tvklan.al