Austria paralajmëron që të mos udhëtohet në disa shtete, përfshirë Ballkanin

0

Autoritetet austriake përveç vendeve të Ballkanit, kanë shtuar listën e shteteve ku rekomandojnë për të mos udhëtuar shtetasit e saj.

Autoritetet shëndetësore në Vjenë paralajmëruan qytetarët e saj të mos udhëtojnë në Bullgari, Rumani dhe Moldavi për shkak përhapjes së koronavirusit të ri në këto vende.

Të gjithë udhëtarët që do të arrijnë në Austri nga të tre vendet e përmendura do të vendosen në karantinë 14-të ditore.

Kancelari austriak, Sebastian Kurz, tha të mërkurën në një konferencë për media se paralajmërimet janë për Bullgarinë, Rumaninë dhe Moldavinë.

Në bazë të paralajmërimeve, kushdo që hyn në Austri nga njëri prej këtyre vendeve duhet të tregojë testin negativ për koronavirus ose të izolohet për 14 ditë.

Qeveria austriake tha se do të rrisë kontrollet edhe në vendkalimet kufitare me Hungarinë dhe Slloveninë.

Njoftimi vjen një ditë pasi Ministria e Jashtme e Rumanisë tha se 99 shtetas rumunë dolën pozitivë në testet për koronavirus në qytetin austriak të Lincit. Shumica e atyre me teste pozitive ishin punëtorë migrantë.

Më 1 korrik, Austria ka lëshuar një paralajmërim të ngjashëm udhëtimi edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje e Hercegovinën.

Që nga shpërthimi i pandemisë në mes të marsit, Austria ka konfirmuar mbi 18,000 raste me koronavirus.

Prej tyre, 706 kanë vdekur dhe mbi 16,700 janë shëruar. Në kufirin austriak me Hungarinë dhe me Slloveninë po intensifikohen kontrollet e udhëtarëve të arritur nga Ballkani, ndërsa gjithashtu kontrollohen edhe të gjithë autobusët.