Autobusët e tragjedive, 3 aksidentet që tronditen Kosovën, Maqedoninë e Luginën

Viteve të fundit, udhëtimet me autobus janë shndërruar në makth për familjet nga Kosova, Maqedonia e Veriut e Lugina e Preshevës. Brenda një periudhe 2 vjeçare shumë prej tyre janë tronditur si rezultat i aksidenteve me autobus nëpër rrugët e Evropës, herë me vdekje tragjike e herë me lëndime të rënda. Rasti më i freskët është aksidenti i ndodhur mëngjesin e së enjtes në Salzburg të Austrisë, që ka përfunduar me dhjetëra të lënduar, derisa më tragjike kanë qenë aksidentet e ndodhura në Bullgari dhe Kroaci në vitin 2021, e ku kanë mbetur të vdekur dhjetëra persona e dhjetëra të tjerë të lënduar rëndë.

Aksidenti në Salzburg të Austrisë

Në orët e para të mëngjesit të sotëm në Salzburg të Austrisë është aksidentuar një autobus i Kosovës me reth 30 udhëtarë brenda, e që për destinacion final ka pasur Hanoverin e Gjermanisë. Për fat të mirë asnjë nga pasagjerët s’ka vdekur, por 19 janë lënduar lehtë derisa tre të tjerë kanë marrë lëndime të rënda. Sipas informacioneve të deritanishme të publikuara nga mediat austriake, autobusi është përplasur me një parmak, në pjesën e autostradës ku ndahej rruga për Salzburg dhe Vjenë.

Sipas Policisë austriake në aksident s’ka qenë e përfshirë asnjë veturë tjetër. Pas informacioneve për aksidentin, numër i madh zjarrikësish, policësh e ambulancash kishin dalë në vendin e ngjarjes për të ndihmuar të lënduarit, të cilët edhe janë dërguar për trajtim në qendrat më të afërta shëndetësore.

Derisa mediat austriake kanë treguar edhe për vështirësinë që ekipet e shpëtimit të arrinin tek vendi i ngjarjes si rezultat i punimeve që po zhvilloheshin në atë pjesë të Austrisë. Autoritetet austraiake kanë shprehur edhe gatishmërinë që t’i transferojnë të lënduarit nëpër të afërmit e tyre edhe në Gjermani.

Kjo s’është hera e parë që një autobus nga Kosova përfshihet në një aksident në Austri. Më 22 shkurt të vitit 2010, gjashtë kosovarë kishin vdekur në një aksident trafiku në afërsi të Vjenës. Në këtë aksident kishin vdekur edhe dy ngasësit e autobusit.

Aksidenti tragjik në Bullgari në nëntorin e vitin 2021

Aksidenti në autostradën e Strumës në Bullgari është një prej aksidenteve më tragjike të ndodhura dekadave të fundit pasi që kanë mbetur të vdekur 46 persona. Rrëfimet e të mbijetuarve të aksidentit janë drithëruese, meqë kishin treguar për momentin e aksidentit, shpërthimin e flakëve dhe britmat e personave që gjendeshin brenda e që nuk arrinin të dilnin meqë zjarri përhapej me një shpejtësi marramendëse.

Aksidenti kishte ndodhur në orët e hershme të 23 nëntorit të vitit 2021, kur autobusi i agjencisë “Besa Trans”, i cili po kthehej nga Stambolli, goditi një bankinë dhe u përfshi nga flakët në autostradën Struma, pranë fshatit Bosnek, ku mbetën të vdekur 46 udhëtarë, përfshirë edhe shoferin e autobusit, ndërsa shtatë të tjerë pësuan lëndime trupore.

Në mesin e viktimave ishin edhe 12 fëmijë, ndërsa shumica ishin familjarë që kishin udhëtuar në Stamboll të Turqisë për një vizitë treditore. Siç kishin treguar atoritetet bullgare, shkaku i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit mbi autobusin nga shoferi dhe shpejtësia e papërshtatshme në atë pjesë të rrugës, rrugë e cila njihet për rrezikshmërinë dhe për numrin e madh të aksidenteve që nodhin aty.

“Shkak i aksidentit është humbja e kontrollit mbi autobusin nga shoferi. Por, edhe shpejtësia e madhe dhe e papërshtatshme, mbi normat e lejuara”, kishte deklaruar kreu i shërbimit hetimor kombëtar bullgar, Borislav Sarafov.

Hetimet lidhur me ketë rast kishin nisur edhe në Maqedoninë e Veriut, pasi autoritetet kishin konstatuar se autobusi i aksidentuar nuk kishte leje për transport ndërkombëtar të udhëtarëve. Për rastin ishin suspenduar edhe dy doganierë, pasi kishin lejuar autobusin pa leje të kalonte kufirin, derisa agjencisë së udhëtimit i është hequr leja e punës.

Pas këtij aksidenti tragjik, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bullgaria kishin shpallur 3 ditë zie kombëtare.

Aksidenti tragjik në Kroaci ku vdiqën 10 kosovarë

Një tjetër autobus nga Kosova ishte aksidentuar edhe në Kroaci, më 25 korrik 2021, ku kishin mbetur të vdekur 10 kosovarë e ishin lënduar rreth 30 të tjerë. Autobusi kishte qenë duke u kthyer nga Frankfurti për në Kosovë dhe ishte aksidentuar si pasojë e pakujdesisë së shoferit, ndaj të cilit edhe ishte ngritur aktakuzë e që më pas edhe ishte dënuar nga drejtësia kroate.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë ndaj tij, shoferi 52-vjeçar ishte kthyer nga pjesa e pasme e autobusit ku kishte dëgjuar një zhurmë, duke mos mundur kështu që të ndiqte gjendjen në trafik.

I akuzuari 52-vjeçar akuzohet se me datë 25.07.2021 rreth orës 6 ka vozitur autobusin Setra me targa të Kosovës në korsinë e djathtë në drejtim të lindjes, gjegjësisht në korsinë jugore të autostradës A3, afër Sibinjit: 15, në kundërshtim me dispozitat e nenit 47 paragrafi 2 i Ligjit për Sigurinë e Trafikut Rrugor. Ai akuzohet se, duke besuar në mënyrë të pakujdesshme se nuk do të rrezikonte përdoruesit e tjerë të rrugës, është kthyer nga pjesa e pasme e autobusit ku ka dëgjuar zhurmë, kështu që nuk ka mundur të ndiqte situatën e trafikut para tij apo drejtimin e autobusit”, thuhej në aktakuzë.
Shoferi i autobusit nga Kosova akuzohej se më pas ka marrë kthesën majtas dhe ka frenuar, gjë që ka shkaktuar rrëshqitje dhe përmbysje të autobusit.

“Ai akuzohet se më pas ka marrë kthesën majtas dhe ka frenuar, gjë që ka shkaktuar rrëshqitje dhe përmbysje të autobusit, me ç’rast dhjetë pasagjerë kanë mbetur të vdekur dhe njëmbëdhjetë janë lënduar rëndë në vendngjarje si pasojë e lëndimeve të shumta të rënda”, kishte njoftuar Prokuroria.Shoferi e kishte pranuar fajin dhe ishte dënuar nga Gjykata e Slavonksi Brod me 6 vjet burgim./Gazeta Express