Agjencia për Zbatimin e Gjuhës ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, i cili tha se me Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve “politika ka krijuar një lloj kaosi juridik, i cili ka rezultuar me kaos politik, mosbesim, dilema”.
Në reagim shkruhet se:
Deklarata e këtillë paraqet një aventurë shumë të rrezikshme për Republikën e Maqedonisë së Veriut, për shkak se preket njëra nga çështjet më të ndjeshme siç është gjuha e një etniteti, përkatësisht gjuha shqipe…
konstatimi i kryetarit në fjalë se ky ligj “ka prodhuar kaos politik, mosbesim, dilema”, konsiderojmë se është një tendencë për ta dramatizuar situatën pa asnjë nevojë reale…
pavarësisht nga tendencat, përpjekjet dhe deklaratat e tilla tensionuese, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës do të vazhdojë ta kryejë punën e vet, siç ka bërë edhe deri tani, në pajtim me Ligjin…
Nuk kanë munguar as reagimet politike. Nënkryetari i BDI-së Arbër Ademi ka shkruar se tentimi për shfuqizimin e Ligjit, gjegjësisht për pezullimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, edhe pse e dëshirojnë, sipas Ademit, nuk mund të jetë punë e kryer e Qeverisë njëetnike dhe e koalicionit VMRO-VLEN-ZNAM.
“Arsyetimi i Degës së VMRO-së në VLEN, se është Levica ajo që e ka kontestuar Ligjin e gjuhëve në Gjykatën Kushtetuese, nuk është asgjë tjetër pos nënshtrim i radhës dhe zhbërje të çdo të arriture të shqiptarëve në RMV. VLEN duhet ta ketë të qartë se gjuha shqipe është e shenjtë dhe se çdo përdhosje e saj rrezikon stabilitetin politik dhe etnik në Maqedoninë e Veriut”, tha Arbër Ademi.
Ka pasuar reagim edhe nga koalicioni VLEN, konkretisht nga kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi. Thotë se edhe në të kaluarën kishte paralajmëruar se “shqipja me këtë ligj nuk është zyrtare, por gjuhë e përkthyer, sepse shteti flet e shkruan vetëm maqedonisht”, por për këtë, siç shkruann, pushteti i kaluar e akuzuar se po e bën për arsye opozitare.
“Të nderuar, kjo është pasojë e asaj që nuk keni ditur, nuk keni dashur ose nuk keni mundur (sepse keni qenë të zënë me çështje si Soravia) ta rregulloni statusin e përdorimit të gjuhës shqipe, më mënyrë që mos të ketë dilema interpretimi dhe kontestimi. E tash mos qani si gra për atë që e keni humbur si burra. Sidoqoftë, mos u mërzitni, se nuk lejojmë ta degradojnë gjuhën tonë, por veç ta dini se ende po i vuajmë pasojat e keqqeverisjes suaj”, tha Zeqirija Ibrahimi..
Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, është miratuar në vitin 2019 dhe parasheh të jetë gjuhë zyrtare e shtetit ajo gjuhë që flitet nga një komunitet që është mbi 20% në Maqedoni, përqindje që në vend aktualisht e arrijnë vetëm shqiptarët. Kjo që atëherë pat hasur në kundërshti të shumta, qytetare, shoqatash dhe politike, të cilat në gjykatën Kushtetuese patën ngritur disa nisma për ta vlerësuar kushtetutshmërinë e ligjit.
Krejt kjo çështje mbeti e heshtur deri dje, kur kryetari i Gjykatës Kushtetuese në një intervistë për MIA-n tha se me ligjin për përdorimin e gjuhëve, politika ka krijuar një kaos juridik e që rezultoi me kaos politik, mosbesim dhe dilema. Nuk foli në detaje, por aludohej te vërejtjet që dolën nga komisioni i Venecias. Për këtë, u paralajmërua se nga 1 shtatori hyn në fuqi akti i ri i kushtetueses, që parasheh afat kohor prej 6 muajsh për Qeverinë, që të përmirësojë ligjin për gjuhët, respektivisht për të larguar vërejtjet dhe dilemat e konstatuara.