Avionët luftarakë rusë dhe amerikanë ‘fërkohen’ mbi Detin e Zi

Një avion luftarak rus ka kryer manovra pranë një avioni mbikëqyrës amerikan, një lëvizje kjo që ka acaruar Shtetet e Bashkuara. Uashingtoni ka akuzuar Moskën për veprime provokuese, që mund të çojnë në një përplasje ajrore.

Një avion luftarak rus “SU-27” ka kryer manovra fluturimi pranë një “kolegu” amerikan, një lëvizje kjo që është konsideruar si “veprim i rrezikshëm” nga Departamenti i Shtetit.

“Fërkimi” mes dy avionëve është verifikuar në qiejtë mbi Detin e Zi. Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësim të lartë për këtë lëvizje të forcave ajrore ruse, të cilën e cilësuan të rrezikshme. Uashingtoni akuzoi Moskën për shkelje flagrante të marrëveshjeve dhe ligjeve ndërkombëtare, me pretendimin se një veprim i tillë mund të çonte në një përplasje në qiell të hapur.

“Incidenti është shembulli i fundit i aktiviteteve ushtarake në kundërshtim me normat dhe marrëveshjet ndërkombëtare”, deklaroi zëdhënësja Heather Nauert. Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes u shpreh se avioni rus kishte lokalizuar atë amerikan dhe e kishte penguar të hynte në hapësirën ajrore ruse.

“Pasi avioni mbikëqyrës amerikan ndryshoi kursin, atëherë avioni ynë u kthye në bazë”, thuhet në një deklaratë, ku nënvizohet e drejta e Rusisë për të kryer manovra mbi ujëra territoriale neutrale. Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë shkëmbyer shpesh herë replika për përplasje të tilla ajrore, të ndodhura kryesisht mbi Detin e Zi dhe atë Baltik.