Serbia padyshim po përgatitet për luftë. Kështu mendon avokati serb Cedomir Stojkoviq që para pak ditësh bëri homazhe tek varrezat e familjes Jashari në Prekaz.
Ai ka bërë një ndërlidhje në mes Serbisë dhe Rusisë, përfshirë këtu edhe Kinën dhe planet e tyre për destabilizim të rajonit.
Sipas Stojkoviq, armatimi dhe ‘pasuria’ që posedon aktualisht Serbia, janë pothuajse të gjitha me prodhim në Kinë e Rusi.
“Aleksandar Vuçiq sapo ka shpallur planet e reja për ushtrinë serbe me sisteme raketore AA nga Kina, sasi të mëdha të dronëve vetëvrasës nga Irani, sistemet e bllokimit elektronik nga Rusia, blerjet e mëdha të mjeteve luftarake ‘Lazar 3’ dhe ‘Milos’ (prodhuar në Serbi) dhe kthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi”, ka shkruar avotali.
Sipas tij, krejt këto po ndodhin pas shumë ngjarjeve të përbashkëta që shënoi Serbia me Rusinë, Hungarinë dhe Republikën Serbe që të trija vende jo mike të Perëndimit.
“Rusia po përgatit konflikte të reja dhe një prej tyre po përgatitet në Ballkan përmes Serbisë. Aleksandar Vuçiq po përgatitet aktivisht për atë plan, si dhe për konflikte të tjera në botë, për të cilat përgatitjet e informon Vulin-FSB-Putin”, ka shkruar avokati Stojkoviq.
Para kësaj, në vitin 2019, Aleksandar Vuçiq mori medaljen Alexander Nevsky nga Vladimir Putin për 20 vjet shërbim në Federatën Ruse (në shërbim të së cilës hyri në janar 1999).