Azizi: Tetova, turpi i Qeverisë dhe neuroza e BDI-së

Shkruan Adnan Azizi

Brenda tre ditëve të fundit Tetova dhe qytetarët e saj pësuan dy katastrofa të mëdha, por që fal Zotit pa viktima. Shpreh solidarizimin tim me pronarët dhe punëtorët e kompanisë PoFix dhe gjithë qytetarët që pësuan dëme materiale nga vërshimet. Si çdoherë, tetovarët treguan solidaritet të madh me njëri-tjetrin në këto ditë të rënda. Mes tjerave, duhet çmuar dhe falenderuar të gjithë ata që mundësuan në lokalizimin e zjarrit, duke filluar me Brigadën e Zjarrëfiksëve të Tetovës, Komunën e Gostivarit, Qytetin e Shkupit, Komunën e Zhelinës dhe gjithë vullnetmirët që në menyrë individuale kontribuan që zjarri të shuhet sa më shpejt.

Por, në këtë rast, nuk mund të mos e shprehim revoltën tonë dhe të gjithë qytetarëve të Tetovës për neglizhimin e Qeverisë ndaj kësaj situate të rëndë për të gjithë. Është ironike dhe e papranueshme që Qeveria të hesht dy ditë radhazi për vërshimat që shkaktuan dëme të konsiderueshme, pa asnjë reagim dhe solidarizim me qytetarët e Tetovës dhe hezitimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, vetëm e vetëm për t’i ikur ndihmës që detyrohet qeveria për Tetovën.

Turpi bëhet akoma më i madh kur e mendon se si ndërhyrja e helikopterit për shuarrjen e zjarrit vjen 4 orë me vonesë.
Reagimi 6 orë me vonesë i kryeministrit, sikur Tetova të mos ishte në hartën e shtetit ishte vula e kësaj katastrofe qeveritare.

Qeveria dhe partia shqiptare në vend që të distancohet nga ish-kryetarja Arifi dhe të ndihmojnë Tetovën për një rimëkëmbje të shpejtë, ata kanë zgjedhur që tu hakmerren tetovarëve dhe ta sabotojnë menaxhmentin e ri të Komunës.

Pas humbjes së Tetovës, shpalosjes së skandaleve nga kryetari Kasami për ish-kryetaren Arifi, Tetova është kthyer në turp të BDI-së, dhe është bërë simbol i dështimit të tyre. Tetova është kthyer në një neurozë të BDI-së. Pas ngjarjeve të fundit, Tetova u bë edhe turp i Qeverisë, andaj edhe kjo Qeveri pa kredibilitet duhet të dorëhiqet sa më shpejt!

*autori është anëtar i lartë i Lëvizjes BESA