Udhëheqësi shpirtëror dhe fetar i bektashinjve, Baba Mondi, është personi që ka promovuar idenë e krijimit të një “Vatikani” bektashian në Tiranë.
Nëse nisma kalon shpejt, ai do të jetë kreu i parë i shtetit të ri, transmeton klankosova.tv.
Ai ka dhënë një intervistë ekskluzive për Jerusalem Post, dhe në të ai ka shpjeguar se ç’nënkupton një shtet i ri i tillë.
”Shteti shqiptar ka të drejtë të miratojë një ligj për këtë çështje. Pastaj, ne mund të shkojmë te komuniteti ndërkombëtar dhe të kërkojmë njohjen e tij”. ”Ne duam të kemi status diplomatik në botë dhe të njihemi si Qendra Botërore e Bektashinjve. Ne duam të përfaqësojmë dhe mbrojmë besimtarët tanë kudo që janë. Qendrat tona komunitare anembanë botës do të jenë pjesë e kësaj Qendre Botërore”.
Baba Mondi ka vizituar Izraelin disa herë dhe shpreson ta shohë përsëri së shpejti.
Ai priti edhe grupe izraelite në Shqipëri për të njohur bektashinjtë. ”Unë e njoh Izraelin dhe e konsideroj veten vëlla të popullit të Izraelit. Unë kam vizituar gjithë Izraelin me miqtë e mi atje. Unë isha i ftuar në një martesë hebreje të një miku”.
”Bektashinjtë janë një komunitet dhe një rrugë mistike e Islamit që i do njerëzit pa marrë parasysh se nga cili vend vijnë, çfarë feje i përkasin, ngjyrën e lëkurës apo politikën e tyre. Ne i konsiderojmë ata si vëllezër dhe motra”.