Në ditën kur Rusia e filloi agresionin ushtarak ndaj Ukrainës me qëllim për ta pushtuar, portali Indeks, i cili vepron në Maqedoninë e Veriut ka publikuar dy video-inserte të një interviste me kryetarin e partisë proruse në vend “Maqedonia e Bashkuar”, Janko Baçev në të cilat ai në emër të popullit maqedonas i kërcënon “politikanët shqiptarë të mos luajnë me zjarr”.
Baçev në fakt mund të flet vetëm në emër të tij dhe ose partisë që përfaqëson, pasi që qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk i kanë dhënë besimin për t’i përfaqësuar me platformën antiperëndimore që ai tashmë 20 vjet po e promovon, shkruan Portalb.mk.
Derisa bota perëndimore ishte e tronditur nga agresioni rus ndaj Ukrainës, portali Index shpërndan video-inserte ku Baçev flet konfliktin e vitit 2001 dhe nxit urrejtje mes shqiptarëve dhe maqedonasve.
Spin: Politikanët shqiptar do t’i kisha porositur të mos luajnë me zjarr, sepse nuk është mirë. Duhet të jetojmë së bashku si bashkëqytetar dhe nuk është mirë të nxiten deklarata të tilla pasi që këtë herë, mos e dhëntë zoti të përsëritet konflikti, ata radikalët shqiptarë do të kenë punë me popullin maqedonas pasi të gjithë e dimë se në vitin 2001, formacionet e UÇK-së e bënë atë që e bënë duke shfrytëzuar tradhtitë që u bënë në krye të shtetit tonë, e jo që forcat maqedonase të sigurisë nuk mundën t’i asgjësojnë ata në vitin 2001. Në fillim, 700 apo 800 të cilët shoqëronin Ahmetin në mal, organet e sigurisë shtetërore dinin gjithçka, praktikisht do të kishin mundur t’i asgjësojnë në atë kohë, megjithatë ndarja e thellë politike në kampin maqedonas u shfrytëzua, prandaj nuk dua që të përsërisim një gjë të tillë e t’u kthehemi ëndrrave të vjetra për rikthimin e gjendjes së tillë.
Kundërspin: Fjalori i Baçevit me kërcënime të stilit mafioz është një spin i cili shërben në nxitjen e tensioneve ndëretnike në kohën kur për shkak të krizës në Ukrainë, ngriten pikëpyetje nëse e njëjta mund të shpërndahet edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, e cila gjithmonë ka qenë në shënjestër të propagandës ruse për shkak të strukturës shumëetnike.
Baçev as nuk është kompetent, e as që dikush i ka dhënë besimin apo të drejtën që ai të flet në emër të popullatës maqedonase, e cila në mënyrë demokratike i legjitimon përfaqësuesit e saj politik.
Nuk ka asnjë fakt për kryerje të, siç thotë Baçev,tradhtisë në krye të shtetit. Ndalimi i konfliktit të armatosur, nuk ishte “tradhti”, por përkundrazi, akt paqeje mes dy komuniteteve më të mëdha, maqedonas dhe shqiptar, i cili me ndihmën e faktorit ndërkombëtar u ndërmjetësua që të nënshkruhet Marrëveshja e Ohrit, e cili edhe sot e kësaj dite shërben në ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe karakterit multietnik të shtetit tonë.
Baçev, sipas biografisë që vetë ai e ka publikuar në ueb-faqen e partisë “Maqedonia e Bashkuar” prej vitit 1994 deri në vitin 2010 ka shërbyer në Shërbimin e Sigurisë Shtetërore të Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë. Në biografinë e tij që ai e rrëfen në vetën e parë nuk përmend askund që ai gjatë konfliktit të vitit 2001 ka shërbyer në ndonjë funksion të lartë dhe vendimmarës në lidhje me konfliktin.
Baçev, gjatë gjithë kohës së agresionit rus, në Facebook shpërndan postime të mbushura me dezinformata për konfliktin e Ukrainës. Dhe kjo nuk është për çudi për faktin se Baçev është kryetari i partisë “Maqedonia e Bashkuar” e cila në statutin e saj parashikon integrimin e Maqedonisë në Unionin Ekonomik Euroaziatik dhe partneritet strategjik me Rusinë.
Narrativi i Baçevit për konfliktin e vitit 2001, është identik me atë të “babait të tij ideologjik”, VladimirPutin, prej të cilit, dukshëm e ka marrë modelin për të kërcënuar në mënyrë publike dhe për të nxitur urrejtje mes popujve.
Kjo deklaratë nxirret në kohën kur e tërë bota perëndimore, bën thirrje për paqe dhe ndalje të luftës, përveç, mediave proqeveritare të Rusisë të cilët e mbështesin dhe arsyetojnë në tërësi agresionin ndaj shtetit të pavarur dhe sovran të Ukrainës.
Gjatë gjithë kohës së agresionit rus, Baçev në Facebook shpërndan postime të mbushura me dezinformata për Ukrainën./Portalb.mk