Banorët e Shipkovicës jetojnë në ankth, druajnë nga përsëritja e tragjedisë së 7 vjetëve më parë

Ashtu sikurse shumë shtëpi të tjera, edhe ky objekt banimi, u dëmtua nga vërshimet e gushtit të vitit 2015, që përfshinë Shipkovicën, shkruan Alsat.

Por, që atëherë, autoritetet, si ato lokal, por edhe të pushtetit qendror, e vetmja gjë që kanë bërë janë matjet dhe vizitat.

Edhe pse kanë ardhur disa herë dhe kanë matur e fotografuar terrenin, pronari i kësaj shtëpie thotë se, nuk i është bërë ende madje as kompensimi i dëmit që iu shkaktua nga vërshimet 7 vjet më parë.

“Dheu i çarë ja, askush asgjë nuk ka prekur, e shihni vetë. Po pati ndonjë vërshim tjetër toka do shkojë e gjitha poshtë, dhe shtëpitë i kemi në rrezik. Ajo shtëpi ka qenë më në rrezik por ja vet i vendosëm një shtyllë betoni që ta mbaj mos rrënohet, po nëse kemi sërish rrezik s’do e ndihmoj asgjë më”, tha Mexhait Velia, pronar i shtëpisë.

Gazetari: A ua kanë kompensu dëmet?

“Jo jo aspak askush asgjë, siç e shihni ka rrëshqit gjithë dheu. Kur bie shi ne flemë me frikë”, u shpreh ai.

Kjo nuk është shtëpia e vetme që ka mbetur me trauma nga dëmtimet e shkaktuara shtatë vite më parë, thonë banorët të cilët kërkojnë nga partitë politike që, të mos e vizitojnë Shipkovicën vetëm kur ka zgjedhje por edhe kur ka halle thonë banorët.

“Apeloj deri tek institucionet kompetente që të marrin masa sa më shpejtë se kjo nuk është shtëpia e vetme që është në rrezik ka shumë shtëpi tjera që janë në rrezik nga vërshimet”, tha një banor.

“Këto janë pasojat që kanë mbetur sot e shtatë vite më parë nga vërshimet që ndodhën këtu në Shipkovicë, vërshimet këto që lanë disa shtëpi të dëmtuar, rrugë të bllokuara dhe morën jetët për fat të keq të katër viktimave në mesin e të cilëve edhe fëmijë. Sot e shtatë vite, këto gërmadha nuk janë hequr”, raporton gazetari i Alsat, Bashkim Sulejmani.

Kreu i bashkësisë lokale është ankuar se nëse nuk merren masa dhe punimet për rregullimin e shtratit lënë jashtë rreth 12 familje, atëherë do të ngrihen në protesta banorët dhe do të bllokojnë rrugët.

“Jashtë mbulimit mbeten mbi 12 shtëpi, dhe mirë është të shkohet në vendngjarje që të shihen gërmadhat dhe muri afër xhamisë që mban dheun e xhamisë që edhe ai është duke u shembur. Nëse nuk bëhet pjesa e poshtme atëherë më mirë të ndalohet procesi i punës. Si kryetar i Bashkësisë lokale me banorët do shkojmë edhe para parlamentit, do kërkojmë edhe nga Këshilli Evropian që të mos përbuzemi”, theksoi Ismail Iljazi, Kryetari i Bashkësisë lokale.

Në vërshimet e vitit 2015, përveç dëmeve në fshatin Shipkovicë, u dëmtuan tejmase edhe fshatrat Poroj e Reçicë ku po ashtu pati viktima. Vetëm dy ditë pas vërshimeve, asokohe kryetarja e komunës Teuta Arifi, ish zv kryeministri Hazbi Lika por edhe përfaqësues të UNDP-së të shoqëruar nga kryeministri Zoran Zaev, premtuan rregullim të shtratit të lumit në Poroj, Xhermë e Shipkovicë, por sikurse shumë premtime të tjera, edhe këto mbetën vetëm fjalë ndërsa kaskadat mbrojtëse të premtuara nuk u bënë asnjëherë./Alsat