Goditje e fortë e UEFA-s ndaj Barcelonës. Institucioni me seli në Nyon e ka dënuar klubin katalanas një gjobë prej 10.000 euro, si dhe e ka ndaluar t’iu shesë bileta tifozëve të vet për ndeshjen e ardhshme europiane jashtë fushe.
Kjo për shkak të sjelljes raciste të treguar nga disa prej tifozëve katalanas në ndeshjen e parë të Ligës së re të Kampionëve në Monako. Në fakt, siç raporton gazeta AS, është parë një pankartë ku shkruhej “Flick Heil”, diçka e ngjashme me “hail Flick”, duke iu referuar përshëndetjes naziste.
Vetë Barça e dënoi pankartën të nesërmen. “E padenjë. E turpshme. E neveritshme dhe e trishtueshme që dikush që pretendon se e do klubin, vepron në këtë mënyrë. Çdo gjë ka një limit. Nuk mund të përsëritet më kurrë. Kurrë më”, – shkroi në llogarinë e saj personale nënkryetarja institucionale dhe zëdhënësja e bordit të drejtorëve të Barcelonës, Elena Fort.
Klubi Blaugrana tha se nuk do të tolerojë demonstrata të tjera që mund të promovojnë ideologji ekstremiste dhe se do të hetojë se çfarë ndodhi në “Stade Louis II”.