Barcelona insiston për Neymarin

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta është i vendosur për ta transferuar sulmuesin brazilin Neymar pas përfundimit të këtij edicioni, ka shkruar sajti spanjoll “RAC 1” të hënën. Bëhet e ditur se Laporta me transferimin e Neymarit do ta bind Lionel Messin për të firmosur kontratën që i skadon këtë verë. Laporta tashmë ka nisur kontaktet me Paris Saint-Germainin për shërbimet e Neymarit dhe ka bërë gati një ofertë joshëse për ekipin francez.

Thuhet se Barcelona po ofron 130 milionë euro dëmshpërblim plus tre lojtarë për ta bindur Parisin në lirimin e Neymarit. Neymar ka kontratë me ekipin francez deri vitin tjetër por ende nuk ka dhënë sinjale se është i gatshëm ta vazhdojë atë. 29-vjeçari iu bashkua PSG-s në vitin 2017 nga Barcelona për 222 milionë euro. Neymar ka luajtur katër sezone për Barçën kurse këtë edicion ka shënuar 15 gola dhe ka bërë dhjetë asistime në 26 ndeshje.