Barcelona, optimiste me potencialin e ekipit për sezonin e ri

Barcelona befasoi shumë në afatin kalimtar të verës duke bërë disa transferime të profilit të lartë pavarësisht se duroi një situatë të vështirë në aspektin financiar.

Taktikat e klubit për të rritur skuadrën – kryesisht duke hequr dorë nga të ardhurat e ardhshme për të shtuar lojtarë të rinj tani – shkaktoi shumë dyshime dhe kritika.

Por, edhe tifozët më të shqetësuar të Barcelonës nuk mund ta fshehin optimizmin e tyre me potencialin e ekipit përpara sezonit 2022/23 në La Liga, që fillon fundjavën e ardhshme.

Transferimet e reja treguan shumë premtime në fazën parasezonale që përfundoi të dielën me fitore të thellë 6:0 ndaj klubit nga Meksika, Pumas në turneun Joan Camper në “Camp Nou”.

Një turmë prej më shumë se 83.000 personash pa transferimin më të mirë të ekipit, sulmuesin Robert Lewandowski, të shënonte golin e tij të parë për klubin katalonjas dhe të lidhej mirë me lojtarin e ri Pedri Gonzalez.

Ata panë gjithashtu mbrojtësin e ri, Jules Kounde, të bënte debutimin e tij, si dhe paraqitjen e mirë të sulmuesve të krahut, Raphinha e Ousmane Dembele. Barcelona gjithashtu mundi Inter Miamin, New York Red Bulls dhe rivalin spanjoll Real Madridin gjatë fazës parasezonale që e pati.

Po ashtu, regjistroi edhe një barazim 2:2 me Juventusin në turneu ne SHBA-së. Përpara ndeshjes të së dielës, tifozët kishin marrë tashmë disa lajme të mira pasi presidenti i Barçës, Joan Laporta, tha se klubi do të përmbushte kërkesat e ferplejit të ligës spanjolle për të regjistruar të gjitha transferimet e reja në kohë për sezonin e ri.

“Ne do të jemi në gjendje të regjistrojmë të gjithë lojtarët”, tha ai, duke hedhur poshtë shqetësimet se disa lojtarë do të duhej të liheshin jashtë ekipit derisa klubi të mund të sjellë më shumë të ardhura. Barcelona kohët e fundit shiti 25 për qind të të drejtave televizive të ligës spanjolle për 25 vjetët e ardhshëm për gati 670 milionë euro dhe shiti 25 për qind të aksioneve të qendrës së saj të prodhimit për 100 milionë euro. Të dielën, Barcelona luajti ndeshjen e parë në “Camp Nou” qëkur u riemërua pas një marrëveshjeje sponsorizimi dhe të drejtave të emrit me “Spotify”.

“Nuk ka kohë për të pritur në futboll, nuk ka sezon transicioni”, tha Laporta për mediat spanjolle. “Bëmë atë që duhet të bëjmë për ta bërë Barcelonën sërish një referencë”.

Pas një sezoni pa trofe në të cilin nuk kishte Lionel Messin për herë të parë në gati dy dekada, klubi doli në treg dhe shpejt u bë shpenzuesi më i mirë jashtë sezonit në Evropë.

Lewandowski iu bashkua nga Bayern Muencheni në një marrëveshje me vlerë rreth 50 milionë euro, ndërsa Raphinha u transferua nga Leeds Unitedi për afro 60 milionë euro dhe Kounde nga Sevilla për 50 milionë euro.

Barcelona shtoi gjithashtu mesfushorin Franck Kessie dhe qendërmbrojtësin Andreas Christensen si lojtarë të rinj, dhe rinovoi kontratën me Dembelen, i cili kishte treguar tashmë gjatë fazës parasezonale se do të jetë një pjesë e rëndësishme në sulmin e trajnerit Xavi Hernandez. Sulmi i skuadrës ka gjithashtu të riun e talentuar, Ansu Fati, holandezin Memphis Depay, danezin Martin Braithwaite dhe spanjollin Ferran Torres. Në mesfushë, Barça ka ende lojtarë si Gavi Paez dhe Pedri, i cili shënoi dy gola ndaj Pumasit nga asistimet e Lewandowskit.

“Kjo Barcelonë është e frikshme”, thuhet të hënën në ballinën e së përditshmes sportive “Marca”.

Ndërkohë, në ballinën e gazetës tjetër nga Spanja “Sport” mbi fotografinë e sulmuesit Lewandowski ishte shkruar “Barcelonë spektakolare”.

Stadiumi “Camp Nou” pritet të mbushet sërish me tifozë për debutimin e skuadrës në ligë të shtunën kundër Rayo Vallecanos, kur një tjetër paraqitje e mirë do ta ndihmonte më tej presidentin Laporta të argumentojë se shpenzimet e larta të klubit përfundimisht do të justifikohen.