Basha: Nuk ka zgjedhje pa u ndëshkuar politikanët që vodhën zgjedhjet e 2017

0

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, edhe nga Parlamenti britanik, ka deklaruar se nuk do të ketë zgjedhje në Shqipëri para se të ndëshkohen politikanët e lidhur me krimin zgjedhit të vitit 2017.

“Zgjedhjet e diktuara nga krimi janë rrënja e krizës, sepse kanë prodhuar një parlament të diktuar nga krimi dhe jo nga vota e shqiptarëve. Politikanet që janë kapur në bashkëpunim me krimin e organizuar për të vjedhur zgjedhjet e 2017-ës duhet të ndëshkohen dhe jo të promovohen. Pa i shkëputur lidhjet e krimit me politikën nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Largimi i qeverisë dhe kryeministrit të kapur në flagrancë duke bashkëpunuar me krimin për të shkatërruar procesin zgjedhor të vitit 2017 dhe krijimi i një qeverie tranzitore janë mënyra e vetme për zgjidhjen politike të krizës”, ka thënë Basha.

Gjatë vizitës në Westminster, Basha dhe delegacioni që po e shoqëron, ka zhvilluar një takim me kryesuesit e Grupit Parlamentar bipartizan për Shqipërinë në Parlamentin Britanik: deputetët John Grogan (kryetar i grupit) dhe Martin Vickers (nën kryetar).

Në këtë takim është diskutuar gjerësisht për shkaqet e krizës politike në Shqipëri, krizën kushtetuese, mungesën e Gjykatës Kushtetuese, mungesën e Gjykatës së Lartë dhe mungesën e një prokurorie të pavarur që nuk i mbyll, por i heton dosjet e krimit të lidhur me pushtetin.

Delgacioni opozitar, i përbërë edhe nga Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, Aldo Bumçi dhe Xhemal Gjunkshi, ka zhvilluar një takim në Dhomën e Lordëve me Lordin Peter Bowness, zëvendës President i Asmblesë Parlamentare të OSBE-së dhe njëherësh anëtar i Dhomës se Lordëve në Parlamentin Britanik./OraNews