Basha për “Open Balkan”: Protagonizëm i tepruar politik

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, ka reaguar për nismën “Open Balkan” të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, që deri dje njihej si Mini-Shengeni ballkanik. Basha ka thënë se takimet mes tre liderëve të këtyre shteteve po bëhen aq shpesh sa nuk po dihet çfarë po prodhojnë.

Lideri i opozitës në Shqipëri shtoi se kjo ka të bëjë më shumë me protagonizëm politike.

“Mendoj që këto takime po bëhen kaq shpesh, sa nuk po e kuptojmë se pse po bëhen dhe çfarë të reje po prodhojnë, përveçse protagonizmit të tepruar politik të atyre që janë në këto takime. Pozicioni i Partisë Demokratike është që lëvizja e lirë në rajonin tonë të funksionojë, duhet t’i japim fund hipokrizisë, duhet urgjentisht të punohet për eliminimin e kërcënimit të fundit për paqen dhe stabilitetin në rajon, që është njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Të na kursejnë një film të parë e të stërparë, që nuk po prodhon gjë për qytetarët”, ka thënë Basha.