Basha uron shqiptarët: Zoti u lehtësoftë ditët e vështira e u ndriçoftë të ardhmen

0

Kreu i PD-së Lulzim Basha ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë, për Kurban Bajramin.

Të dashur besimtarë myslimanë,

Gëzuar Kurban Bajramin, këtë kremtim të sakrificës dhe besimit në Zot!

‘Zoti na ka bërë sprovë për njeri tjetrin’- thotë Libri i Shenjtë, ndaj si në këtë ditë, çdo ditë duhet të kujtojmë se është sakrifica jonë, është vullneti i mirë, janë aktet të nisura jo me qëllim përfitimi personal, por për të bërë vepra të mira për familjen, për shoqërinë e në veçanti për ata që janë më në nevojë, ato qe na lartësojne para Zotit dhe para njëri tjetrit.

Fatkeqësisht ky Kurban Bajram e gjen vendin tonë mes krizës shëndetësore dhe asaj ekonomike.

Pandemia ka shkaktuar viktima dhe shumë qytetarë po trajtohen në spitale ndërsa varfëria ka pllakosur mijëra familje e papunësia po rritet.

Le të gjejmë së bashku forcën dhe kurajon sot tek Mesazhi i Kurban Bajramit që dëshmon se nuk ka sprovë që nuk kalohet me besim tek Zoti, e duke u mbështetur tek njëri tjetri.

Gëzuar Kurban Bajramin!

Zoti qoftë pranë shqiptarëve, u lehtësoftë ditët e vështira e u ndriçoftë të ardhmen.