Futbolisti i talentuar, Shaban Memeti, në sezonin pranveror do të vesh fanellën e Bashkimit nga Kumanova, shkruan Open-TV.
18 vjeçari vjen nga Rabotniçki i Shkupit, ndërsa është rritur si lojtar te shkolla e futbollit Milano të Kumanovës.
Bëhet fjalë për lojtar të repartit ofensiv, i cili është i rrezikshëm para portës kundërshtare. Është lojtar shtatëlartë.
Ai pati disa oferta edhe nga klubet tjera vendore dhe ata të Shqipërisë, por vendosi që t’i bashkohet klubit nga vendlindja.
Memeti nga sot do të jetë nën urdhrat e trajnerit Baze Janakievski, duke iu bashkuar ekipit në stërvitje, për stinorin pranveror në Ligën e Dytë të RMV-së.
Gjatë karrierës së tij, Memeti ka qenë edhe reprezentues i U18 të Maqedonisë, kurse nga marsi i këtij viti ai pritet të ftohet edhe nga U19 e Shqipërisë.
Shabani është nipi i futbollistit të kombëtares shqiptare, Taulant Seferi.
Sezoni pranveror në Ligën e Dytë nis më 17 shkurt, kurse Bashkimi ndeshjen e parë e luan si mysafir i Ohridit në Ohër. (Open-TV)