BB hua prej 46 milionë eurove për të financuar Projektin e Modernizimit Bujqësor

Në media qendrën e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, ministri i Bujqësisë, Arjanit Hoxha sot së bashku me ministrin e Financave, Fatmir Besimi mbajti konferencë për shtyp, kurse përmes video-lidhjes iu bashkua edhe drejtori i Bankës Botërore për Maqedoninë, Massimiliano Paolucci.

Ministri Hoxha njoftoi se Banka Botërore ka miratuar hua për të financuar Projektin e Modernizimit Bujqësor, i cili kap vlerën totale prej 46 milion euro dhe përmban një komponent të madh zhvillimi për bujqësinë, me ndikim serioz pozitiv në ekonominë e përgjithshme të brendshme.

Projekti ka për qëllim ndërtimin e dy qendrave Grumbulluese-Distributive në Resnjë dhe Strumicë, të cilat do të mbulojnë rajonet e Prespës dhe Strumicës dhe një Platformë gjithëpërfshirëse Bujqësore në Shkup, e cila do të mbulojë rajonet e Pollogut dhe të Kumanovës.

Gjithashtu, një pjesë e fondeve janë të destinuara për shërbime këshilluese të ekspertëve dhe ndërtimin e një fabrike moderne për largimin e nënprodukteve me origjinë shtazore.

“Me implementimin e të gjithë komponentëve të këtij projekti, përfitimin më të madh do ta kenë fermerët, por edhe përpunuesit, zinxhirët e shitjes me pakicë, tregjet, konsumatorët, komunat dhe ekonomia e përgjithshme e brendshme. Më në fund po arrijmë diçka që bujqësia jonë ka pasur nevojë prej kohësh, dhe në të njëjtën kohë po plotësojmë kërkesat evropiane për modernizimin dhe zhvillimin e sektorit të bujqësisë, në harmonizim me legjislacionin e BE dhe standardet e cilësisë.”, theksoi Hoxha.(INA)