BBC pyet: A kanë ngelur më shqiptarë në Shqipëri?

Problemi i trafikimit të qenieve njerëzore mbetet një temë e nxehtë në Anglinë PostBrexit. Me një kërkesë të vazhdueshme për krahë pune, politika emigrimi ende të paqartë pas daljes nga BE, Britania e Madhe është parajsa aktuale e emigracionit.

Sipas BBC kalimi i paligjshëm i emigrantëve nëpërmjet qytezës së Calais jo vetëm që nuk është zvogëluar por vazhdon të rritet edhe pas investimeve marramendëse të Francës dhe Britanisë në patrulla, teknologji më të mirë dhe lloje të ndryshme automjetesh.

Patrullat franceze raportojnë se po ndalojnë rreth gjysmën e të gjitha përpjekjeve për kalim, por më shumë se 30,000 njerëz kanë hyrë në Mbretërinë e Bashkuar gjatë vitit 2022.

Dhe nuk janë vetëm emigrantët ata që po e shohin këtë rrugë gjithnjë e më tërheqëse. Sipas BBC trafikimi i qenieve njerëzore ka çuar në krijimin e rrjeteve të reja të kontrabandës gjatë verës që lamë pas. Duke theksuar se rrjeti shqiptar është ai që po njeh një rritje të madhe.

Një zyrtar i lartë francez, me njohuri të mira të situatës, ka treguar për BBC se rrjetet e dedikuara të kontrabandës shqiptare tani po operojnë përgjatë Kanalit, veçmas nga rrjetet kryesore kurde dhe irakiane. “Rrjetet shqiptare janë më efikase se të tjerat. 40% e atyre që përgjojmë në këtë anë të Kanalit janë shqiptarë, por përbëjnë 60% të atyre që mbërrijnë në anën tjetër” tregon ai për BBC.

“Hipoteza jonë është se ata janë shumë më me përvojë se të tjerët përsa i përket aktivitetit kriminal dhe më të mësuar të organizohen dhe të shmangin policinë. Ne gjejmë se çmimet janë më të larta për rrjetet shqiptare sesa për të tjerët.”

Gjenerali Tavart thotë se nuk mund të konfirmojë nëse rrugët e reja të kontrabandës shqiptare po drejtohen nga grupe kriminale të krijuara, ndoshta me bazë në MB, por ai thotë se do të kishte kuptim.

“Me çmimin e një kalimi rreth 4,000 euro (3,482 £) dhe rreth 40 njerëz në një varkë, bëni llogaritë,” tha ai. “Është jashtëzakonisht fitimprurëse, madje më shumë se trafiku i drogës dhe akuzat penale janë më të lehta”.

Sipas BBC një numër më i madh shqiptarësh po qëndrojnë në kampin kryesor të emigrantëve në vend, por pjesa më e madhe raportohet se qëndrojnë në hotelet e zonës përreth ose në në Paris apo Bruksel.

Në një hotel në Dunkerque, pronarja konfirmon se ka një numër të madh klientësh shqiptarë. Ndërsa pronari i një lokali përballë stacionit rrëfen se ka ditë kur më shumë se gjysma e klientëve të tij janë shqiptarë.

“Kur shoh se sa shumë shqiptarë kalojnë prej këtej Pyes veten nëse ka mbetur më njeri në Shqipëri,” tha ai.

Rritja e numrit të emigrantëve që kalojnë Kanalin dhe shfaqja e rrjeteve të reja të kontrabandës, është sfida më e madhe e qeverisë Britanike.

Teksa ministrja e Brendshme e Britanisë, Suella Braverman, pritet të mbajë një fjalim në konferencën e partisë së Konservatorëve ku pritet të ritheksojë vendosmërinë e saj për të luftuar trafikimin./DiasporaShqiptare