BDI akuzon se pushteti bën fushatë për diskriminim etnik dhe largim nga puna të shqiptarëve nga institucionet shtetërore. Nga partia opozitare me qëndrim se me këtë shkelen parimet e barazisë dhe harmonisë multietnike dhe kërkojnë që qeveria të ndalet me sjelljen e këtillë.
“BDI dënon fuqimisht fushatën në vazhdim të diskriminimit etnik dhe “pastrimit institucional” që po vihet në zbatim ndaj administratorëve shtetërorë dhe publikë, punonjësve të policisë dhe ata shëndetësorë si dhe shërbyesve civilë me përkatësi shqiptare. Ne i bëjmë thirrje qeverisë të ndalojë menjëherë këto praktika, të cilat jo vetëm që janë të padrejta, por minojnë edhe stabilitetin dhe kohezionin e vendit tonë”, thonë nga BDI.
Ju lutem injorojini dhe mos u kushtoni vëmendje akuzave të këtilla të BDI-së, tha kryeministri Mickoski, reagime të cilat siç tha ai, BDI i bën çdo herë kur u afrohet drejtësia. Ai konfirmoi se në pjesë të institucioneve ka largime nga puna por se bëhet fjalë për persona të cilët e kanë keqpërdorur pozitën dhe kanë bërë veprime joligjore.
“Do të ashpërsohet retorika prej atje, me afrimin tonë deri te kriminelët do të ashpërsohet edhe retorika e tyre. Me hyrjen e personave të parë në paraburgim, me proceset e para gjyqësore, do të jetë edhe më ashpër. Që ta mbrojnë krimin, qendrat tregtare, pronat, paratë, milionat, mënyrën e vetme që e kanë është kjo. Ju lutem të mos u kushtojmë vëmendje”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
BDI nuk heq dorë edhe nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato lokalet në vjeshtën e vitit të ardhshëm, duke thënë se kjo është zgjidhja e vetme për daljen nga kriza me legjitimitetin. Kryeministri Mickoski dje tha se zgjedhjet për të nuk janë problem por se tani për tani nuk ka nevojë për zgjedhje. Tha se zgjedhjet lokale do të jenë test nëse duhet të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare.