BDI shpreh shqetësim të thellë për skandalin e radhës në Komunën e Çairit, ku mijëra euro nga buxheti publik janë derdhur në kafiterinë e zëvendësministres Kaltrina Zekolli-Shaqiri, pa shpallje publike dhe në shkelje të Ligjit për Prokurime Publike.
“Ky rast dëshmon qartë abuzimin me paranë publike, favorizimin e bizneseve të lidhura me zyrtarë të Lëvizjes Demokratike dhe kapjen e institucioneve nga një rrjet i organizuar politik që përdor pushtetin për interesa të ngushta. Kafiteria “1sh”, e njohur si seli alternative e Mexhitit dhe Ganiut, ka përfituar mbi 30 mijë euro nga Komuna e Çairit – vetëm këtë vit mbi 14 mijë euro, pa konkurrencë e transparencë”, thekson BDI.
Por, nga VLEN theksuan se i bëjnë thirrje mediave dhe institucioneve kompetente që menjëherë të verifikojnë të gjitha faktet, ndërkohë që znj. Zekolli do të shqyrtojë të gjitha opsionet ligjore për të mbrojtur integritetin e saj personal, familjar dhe profesional.
“VLEN dënon ashpër sulmet e ulëta dhe të turpshme të sotme nga Bashkimi Demokratik për Integrim ndaj znj. Kaltrina Zekolli. Kompania e përmendur nga BDI është trashëguar pas një rasti vdekjeje në familjen më të afërt të znj. Zekolli. BDI është plotësisht në dijeni për këtë fakt, por megjithatë zgjodhi ta keqpërdorë për përfitime politike, një sjellje e ulët dhe e neveritshme. BDI është një parti pa busull morale. Kjo është një dëshmi tronditëse për mungesën e çdo minimumi njerëzor në qëndrimet dhe komunikimin e tyre. Nga të gjitha temat që mund të kishin zgjedhur, ata vendosën të sulmojnë një situatë familjare të një familjeje që ka përjetuar një tragjedi shumë të freskët. Ne e mohojmë kategorikisht çdo keqpërdorim në këto tetë vitet e fundit, madje edhe në periudhën kur kompania nuk ka qenë në pronësi personale të znj. Zekolli. Bëhet fjalë për shërbime të ofruara për klube sportive, me kosto mujore simbolike, për të cilat ekziston dokumentacion i plotë dhe bazë ligjore”, thekson VLEN.(INA)