Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj rezultateve të fundit të konkurseve të brendshme në Drejtorinë e të Hyrave Publike (DHP), duke i cilësuar ato si një shembull flagrant të diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve në administratën shtetërore.
Sipas të dhënave të publikuara nga BDI, në konkursin e brendshëm të mbajtur më 26 shkurt 2025, janë avancuar 26 të punësuar me përkatësi maqedonase, ndërsa asnjë shqiptar. Më tej, në konkursin e datës 16 maj, nga gjithsej 41 avancime, 40 i takojnë maqedonasve, ndërsa vetëm një shqiptar ka përfituar avancim.
“Ky nuk është rastësi, por një përjashtim i qëllimshëm i shqiptarëve nga institucionet publike. Kjo bie ndesh me Kushtetutën, Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe me parimet e përfaqësimit të drejtë e adekuat,” thuhet në reagimin zyrtar të BDI-së.
Kjo parti e konsideron këtë si një kthim të praktikave diskriminuese të së kaluarës, të cilat rrezikojnë seriozisht bashkëjetesën ndëretnike dhe karakterin multietnik të shtetit.
BDI i bën thirrje Qeverisë që të japë sqarime të menjëhershme për këtë situatë të papranueshme, duke theksuar se një shtet që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian nuk mund të tolerojë pabarazi të tilla etnike “pa ndjesi turpi dhe pa asnjë përgjegjësi”.
“BDI nuk do të hesht ndaj këtyre padrejtësive. Do të ndërmarrim të gjitha masat politike dhe ligjore për të ndalur këtë degradim institucional të shqiptarëve,” thuhet më tej në reagim, ku i bëhet apel edhe bashkësisë ndërkombëtare që të ndjekë me vëmendje këtë situatë shqetësuese që, sipas tyre, rrezikon ekuilibrin ndëretnik në vend.(INA)