BDI dhe LSDM po “kacafyten” për emërimet e shqiptarëve në polici, njëra emëron, tjetra shkarkon

0

Nënkryetari i LSDM-së Muhamed Zekiri pohon se Ministria e Punëve të Brendshme nuk është shtab partiak. Kështu ai i tha dje TV21 duke u përgjigjur për rokadat dhe lëvizjet që po bëhen në MPB, se po hiqen kuadro të afërta me BDI-në, e po vendosen ata të afërt me LSDM-në. “MPB nuk është shtab partiak fillimisht. Ata që thirren se janë kuadro të BDI-së a na u paskan shkarkuar tash flet për vetë ata se ata i kanë shërbyer partisë e jo qytetarëve. Pjesëtarët e MPB i shërbejnë qytetarëve dhe jo partisë. Ka kaluar koha kur dikush MPB e trajtonte si shtab partiak gjatë regjimit VMRO-DPMNE-BDI”, thotë Muhamed Zekiri, nënkryetar i LSDM-së. Në fakt fotografi dhe video dëshmojnë të kundërtën e asaj që thotë Zekiri, se MPB nuk është shtab partiak dhe se “ka kaluar koha kur dikush MPB e trajtonte si shtab partiak gjatë regjimit VMRO-DPMNE-BDI”. Këto pamje tregojnë se njerëz të afërt me LSDM-në janë nëpër pozita në Ministrinë e Brendshme. Një prej tyre është edhe rasti i njërit prej të punësuarve në MPB, gjë për të cilën ditë më parë ka raportuar TV21 rreth rokadave në pikëkalimin Bllacë, fotografitë e të cilit tregojnë afërsinë e tij me LSDM-në. TV21 do ta ruajë identitetin e tij dhe funksionin e tij si zyrtar policor, arsye për të cilën as nuk pranoi të flasë para kamerës. Po i njëjti ka marrë pjesë edhe në fushatën presidenciale në mbështetje të Stevo Pendarovskit. TV21 po ashtu ka fotografi të personit i cili ka lëvizur nga pozita e tij e punës, e që dëshmojnë afërsinë me BDI-në, si kjo foto ku ai në një tubim qëndron afër Blerim Bexhetit. E krahas Zekirit, edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme Agim Nuhiu, në përgjigje me shkrim për rastin në Bllacë, mohon avancimet në baza partiake. “Është e kundërta e asaj që Ju pretendoni në kronikat televizive në lidhje me risistematizimet e punonjësve në stacionin kufitar Bllacë! Ju lutemi për verifikimin e plotë dhe të drejtë të fakteve veç e veç dhe në tërësi”, theksoi Agim Nuhiu, zëvendësministër për Punë të Brendshme. Megjithatë Nuhiu as sot nuk pranoi që të flasë para kamerës rreth kësaj çështjeje. E bashkëpartiaku i tij, zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani ditë më parë deklaroi që askush nuk duhet që në punën e tij administrative të dënohet për shkak të bindjeve politike. “Në princip nuk mendoj që në shërbimet e policisë duhet të ketë kuadër të BDI-së ose kuadër të LSDM-së por askush nuk guxon të diskriminohet për shkak bindjeve politike”, u shpreh Bujar Osmani, zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane. Ditëve të fundit TV21 ka raportuar për dy raste, një në pikëkalimin kufitar Bllacë e një në Tabanoc, ku janë bërë lëvizje të zyrtarëve të lartë policor. Më saktësisht, burime të TV21, kanë treguar se nga pozitat e tyre janë larguar kuadro të afërta me BDI e janë vendosur të afërt me LSDM-në, kjo siç thonë burimet tona, me qëllim që LSDM të përforcojë disa pozita kyçe në strukturat e policisë, para se të emërohet ministri i brendshëm teknik./TV21