BDI keqpërdor pushtetin, abuzon me doganierët dhe të punësuar tjerë shqiptarë për qëllime politike!

0

Aleanca për Shqiptarët sot në një konferencë me mediat drejtoi gishtin tek BDI për keqpërdorim të pushtetit dhe të doganierëve shqiptarë, përfshirë edhe të punësuar të tjerë, vetëm e vetëm për qëllime politike. Zëdhënësi i kësaj partie, Flakron Bexheti nënvizoi rastin me zv.drejtorin e Doganave të Maqedonisë së Veriut Irfan Buçi, kryetarin e degës së BDI-së Tetovë, Florin Besimi, deputetin Artan Grubi, dhe ministrin Hisen Xhemaili, të cilët kishin ftuar doganierët shqiptar nga Tetova, për t’i “qarë hallet së bashku” siç thuhet në njoftimin që u publikua në rrjetet sociale.

“Ky moment paraqet skandal të precedent, imagjinoni zv.drejtori i Doganave, doganierët nuk i ka ftuar në zyrat e doganës por këtë e ka bërë tek selia e BDI-së në Reçicë të Vogël? Se BDI ka kapur shtetin dhe të gjitha institucionet e saja, flet edhe fotografia me doganierët shqiptar, të punësuar në një sektor të ndjeshëm të cilët duhet t’i shërbejnë shtetit, doganave, qytetarëve e jo të shfrytëzohen si militant partiak për qëllime partiake. Shantazhimi, abuzimi dhe mobingu janë format që BDI i praktikon sa herë që vijnë zgjedhjet!? Duke shkelur, ligjin duke politizuar administratën publike dhe duke e përdorur aparatin shtetëror për qëllime partiake? Të gjitha këto bien ndesh me kërkesat e BE-së për t’i departizuar institucionet e shtetit, dhe për të depolitizuar administratën publike, parakusht për t’i hapur negociatat me BE-në!
E rikujtojmë opinionin se BDI, asnjëherë nuk i takoi familjarët dhe ish ushtarët e UÇK-së, invalidët e luftës, as fëmijët e dëshmorëve, për t’i dëgjuar hallet e tyre, të cilët shpesh herë po keqpërdoren për qëllime parazgjedhore nëpër fushata elektorale, që ky subjekt këtë kategori e ka shndërruar në shtresë sociale dhe të pashpresë.”, theksoi Flakron Bexheti. Sipas tij, Aleanca për Shqiptarët, ditët në vijim do t’i përdorë të gjitha mundësitë ligjore për ta parandaluar kapjen e shtetit nga BDI, të cilët keqpërdorin pozitat shtetërore për qëllimet politike.
“U bëjmë thirrje punonjësve shqiptarë të administratës dhe institucioneve, të mos lejojnë të manipulohen nga BDI-ja për qëllimet e tyre, të ushtrojnë funksionet dhe e detyrat e tyre duke iu shërbyer qytetarëve dhe jo BDI-së. Të denoncojnë çdo shantazh, mobing në institucionet përkatëse. Të qëndrojnë larg politikës dhe mos të pranojnë që BDI e cila po fundoset ta gjej shpëtimin tek ju sepse një gjë e tillë është e pamundur! Kërkojmë nga Komisioni Antikorrupsion të deklarohet nëse ne këtë ta hetojë këtë rast , ndaj zyrtarëve të pushtetit që keqpërdorin pozitat shtetërore për qëllime politike, që i njëjti mos të përsëritet më. Ftojmë kryeministrin Zaev, që të deklarohet poashtu për rastin konkret, se a mbështetë një gjë të tillë që subjektet politike të pushtetit, punonjësit e doganave ose të policisë t’i vënë në shërbim jo të qytetarëve por të subjekteve politike qe duan ta shfrytëzojnë aparatin shtetëror për t’i fituar zgjedhjet?! Si subjekt politik, këtë rast dhe raste tjera do t’i denoncojmë edhe tek zyrat e ambasadave relevante në vend duke kërkuar intervenimin e tyre, për të parandaluar kapjen e shtetit.”, theksoi zëdhënësi Flakron Bexheti. (INA)