Bashkimi Demokratik për Integrim ka përmbyllur takimet e saj informative nën moton “Bashkë për në Europë” në Gostivar me takimin që realizoi me Forumin Rinor të Bashkimit Demokratik për Integrim në Gostivar.
BDI ka përmbyllur takimet informative me qytetarët në rajonin e Gostivarit. Gjatë javëve të kaluara, zyrtarët e lartë të integristëve shpalosën para qytetarëve sfidat që presin vendin në synimin e saj drejt BE-së. Por, takimet e Gostivarit, ndodhën edhe në kohën kur BDI-ja përballet me të pakënaqurit partiak të rreshtuar në të ashtuquajturin “Grupi I Zjarrit”.
Lideri I BDI-së, Ali Ahmeti, vazhdimisht ka pohuar se nuk është cënuar uniteti partiak duke I quajtuar “vlimet” në parti si pjesë e demokracisë brendapartiake. Por në fjalimet para qytetarëve të Gostivarit, nuk ka munguar thirrja për më shumë unitet, më shumë komunikim e bashkëpunim.
“Jemi në prag të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kemi përpara një gurë që duhet lëvizur që nuk është i lehtë, për ndryshimet kushtetuese, na duhet një zë unik, na duhet të instalojmë vlera. Nuk është e pabesueshme, të gjitha barrierat u thyen, euroskepticizmat do shkrihen sepse s’kemi alternativë tjetër, ashtu siç ndodhi anëtarësimi në NATO, ashtu do të ndodhë edhe anëtarësimi në Bashkimin Europian”, deklaroi Ali Ahmeti.
Nga e Hëna, pas Gostivarit, BDI-ja zbarkon në Tetovë. Edhe në këtë rajon, në takimet me qytetarët, do të shpalosen synimet e BDI-së për vitin sfidues 2023.
Ndryshe, paralelisht me aktivitetet e BDI-së, në terren ka zbarkuar edhe “Grupi i Zjarrit”. Pas Studeniçanit, Manastirit dhe Shkupit, takimi radhës do të mbahet në Kumanovë./KlanMacedonia