BDI nuk do që Zaevi të ikë nga posti i kryeministrit

BDI nuk dëshiron që Zoran Zaev të hiqet nga posti i kryeministrit. Sekretari i kësaj partie, Artan Grubi tha se BDI respekton vendimin e LSDM për zgjedhjen e liderit të ri, por Zaev nuk duhet të dorëhiqet nga posti i kryeministrit dhe të vazhdoj këtë detyrë, përcjell INA.

“Ne do ta respektojmë atë vendim dhe sigurisht do të pranojmë verdiktin e të gjithë anëtarëve të tyre që do të vendosin se kush do të jetë lideri i tyre i ardhshëm më 12 dhjetor. Lidhur me dorëheqjen e kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, mendojmë se duhet pritur. Ne kemi shumë pyetje të rëndësishme në muajt e ardhshëm dhe besojmë se së bashku me Zaevin në krye të asaj Qeverie do të duhet t’i përfundojmë të gjitha ato procese, përfshirë edhe pyetjet që janë pjesë e dialogut me fqinjët dhe fillimi i negociatave për anëtarësim në BE”, theksoi Grubi.

Sa i përket mazhorancës parlamentare, Grubi thotë se është e qëndrueshme.(INA)