BDI: Shihet kush është pro Europës e kush është kundër!

Bashkimi Demokratik për Integrim e dënon ashpër dhunën anti-europiane në rrugët e Shkupit të nxitur dhe realizuar nga elementet proruse në vendin tonë që janë kundër BE-së, NATO-s, fqinjësisë së mirë, paqes, stabilitetit dhe sigurisë.

Zhvillimet e fundit në vend pas propozimit të Këshillit të BE-së për kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut zbardhen ndasitë në shoqëri midis forcave progressive në përkrahje të Bashkimit Europian dhe forcave regresive kundër BE-së.

Forcat regresive në vend që janë në përkrahje të protestave të dhunshme po tentojnë të pengojnë procesin europian që tashmë Republika e Maqedonisë së Veriut është duke e finalizuar.

Ndryshe nga ato regresive, forcat progresive në vend që sollën Marrëveshjen e Ohrit, Marrëveshjen e Prespës, anëtarësimin e vendit në NATO dhe autoqefalinë po përmbyllin me sukses edhe çështjen me Republikën e Bullgarisë për të siguruar prespektivën europiane të vendit tonë.

Bashkimi Europian, Uashingtoni, Londra, Parisi, Roma, Berlini, Brukseli dhe të gjithë miqtë e vendit tonë mbështesin këtë propozim.

Bashkimi Demokratik për Integrim fton të gjithë shoqërinë civile, botën akademike, mediat, analistët, të gjithë progresistët në shoqëri që t’i bashkangjiten frymës europiane dhe të distancohen nga dhuna anti-europiane që po nxitet për të krijuar destabilitet.