Nga BDI thonë se qytetarët po vuajnë pasojat e ndotjes, siç shtojnë “duke paguar çmimin më të lartë – shëndetin dhe jetën e tyre”. Nga partia opozitar akuzojnë qeverinë dhe ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinorë, Izet Mexhitin për mos marrje të masave. BDI-ja u bën thirrje për veprime urgjente dhe të menjëhershme nga autoritetet përgjegjëse që të, siç shprehen ata, adresohet kjo krizë shëndetësore dhe mjedisore.
“Në një kohë kur Shkupi renditet ndër qytetet më të ndotura në botë, qytetarët tanë përballen me një kërcënim të drejtpërdrejtë për jetën nga ajri që thithin çdo ditë. Kjo ndotje e pamëshirshme po i vret qytetarët në heshtje, duke i kthyer frymëmarrjet e tyre në një helm për shëndetin. Ndërkohë që spitalet po mbushen me qytetarë që ankohen për vështirësi në frymëmarrje dhe probleme të lidhura me ndotjen, Ministri jolegjitim i Mjedisit vazhdon të merret me interesat e tij private në biznesin e kazinove dhe shume tjerave. Ky ministër, i përzgjedhur jo nga qytetarët nëpërmjet votës së lirë dhe demokratike, por nga mbledhjet e partisë VMRO- DPMNE-së, është simboli i një qeverisje të papërgjegjshme që nuk kujdeset për mirëqenien e qytetarëve, por për interesat personale të një grupi të ngushtë”, thuhet mes tjerash në reagimin e BDI-së.