BDI: Stop protestave të dhunshme anti-europiane nga forcat pro-ruse

Reagim i Bashkimi Demokratik për Integrim

Dhuna dhe imazhet e mbrëmshme, duke sulmuar institucione dhe forcat e rendit, tregojnë qartë se organizatorët dhe mbështetësit e protestave të dhunshme vazhdojnë të kultivojnë qëllime destruktive anti-europiane, duke i shërbyer kështu politikave pro-ruse në vend për destabilizim të vendit dhe rajonit.

Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër tentativat për të destabilizuar vendin, ndarjen mes qytetarëve me qëllim të krijimit të tensioneve të reja, andaj kërkon urgjentisht nga të gjithë aktorët politikë, qytetarët dhe gjithë shoqëria civile që të ndalohen dhe dënohen urgjentisht protestat e dhunshme anti-europiane.

Pikërisht në periudhën kur vendi është në rrumbullakësim të rrugës për të arritur qëllimin tre dekadësh, VMRO DPMNE dhe Levica duhet të ulen dhe të diskutojnë mbi këto procese qëllimmira dhe jo të organizojnë protesta të dhunshme, të shpërndajnë lajme të rrejshme dhe të mendojnë skenarë të errët për të frikësuar qytetarët.

Pas shumë vitesh pritje, përfundimisht e kemi mundësinë që e kemi merituar për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe para nesh kemi propozimin që është në pajtim me Rezolutën e Kuvendit tonë dhe garanton identitetin, gjuhën dhe kulturën e bashkëqytetarëve tanë maqedonas.

Bashkimi Demokratik për Integrim bashkë me qytetarët edhe njëherë siguron se nuk do të lejojë që forcat me bindje pro-ruse të ushtrojnë dhunë ndaj institucioneve dhe të cenojnë të ardhmen e vendit.

Ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe do të vazhdojmë rrugën europiane, alternativë tjetër nuk ka!