Në mbledhjen e sotme të Kryesisë Qëndrore të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) të mbajtur në Kërçovë, u vendos që Faton Pollozhani të emërohet si Ushtrues Detyre i Kryetarit të Degës së BDI-së në Strugë.
Nga kjo parti thuhet se ky vendim vjen si vazhdimësi e procesit të reformave të brendshme të BDI-së, të bazuara në rregulla të rrepta të vetingut dhe në konsultim me antarësinë e BDI- së në Strugë dhe shumicën e qytetarëve të Strugës.
“BDI ka nisur një epokë të re transparence dhe llogaridhënieje.Faton Pollozhani është një politikan i ri dhe i dëshmuar, i cili ka nisur angazhimin e tij politik si aktivist i devotshëm për qytetarët e Strugës. Ai ka shërbyer me përkushtim si zëvendësministër i Transportit, duke treguar aftësi dhe përgjegjësi në detyrën e tij. Me këtë vendim, BDI jo vetëm që vazhdon reformat e saj të thella dhe të bazuara në standarde të larta etike, por edhe tregon qartë se të rinjtë e aftë dhe të dëshmuar po marrin pozicione kyçe për të ndërtuar të ardhmen politike të vendit”, thekson BDI.(INA)