BE-ja e shqetësuar për marrëveshjen në mes Serbisë dhe Rusisë

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin për forcimin e raporteve midis Serbisë dhe Rusisë, pasi këto dy shtete nënshkruan një marrëveshje për bashkëpunim në sferën e politikës së jashtme.

Zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, tha se kjo marrëveshje erdhi në kohën kur Rusia po vazhdon agresionin ndaj Ukrainës dhe çdo ditë “po e shkel të drejtën ndërkombëtare, forcat e saj po kryejnë krime ndaj civilëve e në pjesë të okupuara, po organizon referendume ilegale”.

Sipas tij, Serbia ka deklaruar se qëllim strategjik ka integrimin në bllokun evropian. Andaj, sipas Stanos, edhe “ky vendim i Serbisë do të duhej të nënkuptonte edhe bashkëpunimin dhe përafrimin me BE-në në çështje të politikës së jashtme”.

Serbia është kritikuar për afrimin e saj me Federatën Ruse edhe nga deputetët e tjerë të Parlamentit Evropian.

Më 23 shtator, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, dhe ai i Serbisë, Nikolla Sellakoviq, nënshkruan Planin e Konsultimeve të dy ministreve për dy vjetët e ardhshme.\Alsat.mk