BE-ja i kërkon Bosnjës që ta zgjidhë shpejt çështjen e imigrantëve

Bosnja dhe Hercegovica është duke u përballur me trysni nga Bashkimi Evropian për ta adresuar të ardhmen e mijëra imigrantëve dhe azilkërkuesve të bllokuar në këtë shtet, të cilët po mbahen në kushte të rënda në kohë dimri.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, të premten tha: “Gjendja e vështirë e imigrantëve është e papranueshme dhe duhet të zgjidhet në mënyrë urgjente”, shkruan Free Europe.

Në pjesën veriore të Bosnjës, rreth 900 imigrantë janë duke fjetur pa strehë në kampin e improvizuar, Lipa, ku po përballen me borën dhe temperaturat nën zero për më shumë se tri javë.Ky kamp u ndërtua vitin e kaluar si qendër e përkohshme e akomodimit gjatë pandemisë dhe u mbyll më 23 dhjetor. Më pas, një zjarr shpërtheu gjatë zhvendosjes së imigrantëve, me ç’rast u shkatërrua një pjesë e madhe e tij. Autoritetet fillimisht thanë se do t’i dërgojnë imigrantët në një vend tjetër, por pas rezistencës së banorëve lokalë, ato u detyruan që të vendosin tenda ushtarake në kampin e vjetër.Shumë prej imigrantëve në këtë kamp janë nga Pakistani, Afganistani dhe Siria. Ata janë në mesin e rreth 9.000 imigrantëve dhe refugjatëve që janë bllokuar në Bosnjë e që po mundohen të hyjnë në Kroaci, për ta vazhduar rrugëtimin drejt vendeve më të pasura të BE-së.